KreuArt

Ekspozita “Faksimile” nga Helidon Haliti hapet dyert më 6 nëntor!

Ekspozita “Faksimile” do të hapet më 6 nëntor, në orën 18:00, në Univeristetin e Arteve. Ajo përmban rreth 40 punime në pikturë, dhe ka zënë fill nga bisedat Helidon Halitit me të atin, poetin Faslli Haliti, njeriu që e ka krijuar atë fizikisht, por edhe shpirtërisht dhe artistikisht.

Ekspozita “Faksimile” nga Helidon Haliti hapet dyert më 6

“Ne kemi patur një ëndërr të përbashkët: Që babai të kuronte një ekspozitë timen, me një koncept fare të thjeshtë, për të vënë në dukje faktin se në të gjitha pikturat e mia gjen pjesë nga lirikat e poezisë së tij, nga shqetësimet e tij sociale dhe altruizmi i padiskutueshëm i tij si njeri”, tregon Helidon Haliti, teksa rrëfen se babai i tij Faslli Haliti u nda nga jeta tre vjet më parë dhe ky koncept po bëhet realitet vetëm tani.

 

Ekspozita është e përbërë prej copëzash kujtimesh të piktorit. “Janë copëza poezish, figurash, edhe figura të plota, pse jo, copëza shqetësimesh sociale dhe zhvillimesh që kanë ndodhur pas ndarjes nga jeta të babait tim për shkak të Covid-19.

Kjo ekspozitë vjen si një plotësim i filozofisë se arti shtegton edhe pa krijuesin, për të thënë se shpirti nuk humbet asnjëherë dhe se komunikimi ynë vijon ende përmes ëndrrash e vargjesh poetike, në një bisedë, e cila zhvillohet prej më shumë se 55 vitesh, edhe pas vdekjes së tij. Poezitë e tij janë si tituj të pikturave të mia, kurse ekspozita është e thurur me përrallat që më ka treguar kur isha fëmijë” shton më tej Haliti.

Ekspozita “Faksimile” nga Helidon Haliti hapet dyert më 6

40 punimet në pikturë, janë kryesisht kompozim, por të shoqëruara me një peizazh onirik, ku janë të pranishme edhe vitet e fëmijërisë, tingujt e së kaluarës, të ndërthurura fort edhe nga e tashmja. Ekspozita ka shqetësime të botës, si për të thënë se historitë përsëriten, por gabimet dhe fajet nuk duhet në asnjë mënyrë të bien në prehrin e përsëritjes.

Pikturat rrëfejnë për shqetësimin e një armiku, dikur të padukshëm, si Covid-19, dhe të një konflikti të tanishëm me dilemat e artistit, por edhe me pështjellimet e një qytetari, dikur fëmijë, sot piktor, për të thënë se shqetësimet e prindit kuptohen vetëm në momentin kur bëhesh prind vetë, ndërsa burri plotësohet në çastin kur humbet krijuesin e tij.

Ekspozita “Faksimile” nga Helidon Haliti hapet dyert më 6

“Punimet nuk largohen nga ngjyrimet personale të miat dhe shpeshherë shoqërohen nga lirizmi dhe klithmat e poezive të poetit Faslli Haliti”, tregon Holiti.

Në tre sallat e ekspozitës “Faksimile” publiku do të shohë një minimuze, ku dimensioni do të jetë i larmishëm, shqetësimet do të shfaqen lakuriq, siç janë, përpara tij, por pa u konkretizuar në një portret të caktuar. Ekspozita është konceptuar si një lloj instalacioni, i cili e ka nisur rrugëtimin e tij para 4 vitesh, dhe sot është i gatshëm për t’u përballur dhe bashkëbiseduar me publikun, për të kuptuar se shpirti vijon..

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF