KreuBusull

Aurora Tila u vra nga ish-i dashuri, 17-vjeçari rrëfen krimin: E shtyva unë nga ballkoni

Aurora Tila u vra nga ish-i dashuri, 17-vjeçari rrëfen krimin: E
Ish-i dashuri i 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar se ishte ai përgjegjësi për vdekjen e saj, duke rrëfyer se e kishte shtyrë vajzën nga ballkoni i një pallati në Piacenza të Italisë, më 25 tetor 2024.

17-vjeçari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç, ndryshoi qëndrimin e tij gjatë procesit të apelit dhe hoqi dorë nga pretendimi për pafajësi. Ai pranoi për herë të parë se kishte shkaktuar vdekjen e të dashurës së tij 13-vjeçare, pasi më herët ishte dënuar me 17 vite burg në shkallën e parë.

Deklaratat e tij u dhanë përmes një lidhjeje video nga burgu i të miturve në Catanzaro. Pas rrëfimit, gjykata ka kërkuar edhe një raport mbi sjelljen e të riut gjatë qëndrimit në institucionin e vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe episode të tjera problematike.

I mituri, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për shkak të moshës, kërkoi falje për veprimin e tij dhe për kohën e gjatë që iu desh për të pranuar përgjegjësinë.

“Me këtë rrëfim mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, u shpreh avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së Aurorës, e cila e ka cilësuar ngjarjen si femicid.

Seanca e radhës e procesit gjyqësor është shtyrë për më 10 shtator.