Imagjinoni të kontrolloni llogarinë tuaj dhe të shihni që paga juaj e zakonshme është hedhur plot 330 herë. Nëse ju ndodh kjo, a do të ishit personi i ndershëm dhe do të informonit kompaninë tuaj? Apo do ta shihnit si shpërblim nga Qielli dhe do të zhdukeshit menjëherë përpara se departamenti i financave të kuptojë gabimin e tyre? Në fakt një burrë nga Kili ka zgjedhur pikërisht versionin e dytë. Incidenti ndodhi kur Consorcio Industrial de Alimentos (Cial), një kompani kiliane e specializuar në prodhimet e ftohta, depozitoi gabimisht 165,398,851 pesos kilian (176,795 dollarë) në llogarinë e një punonjësi në vend të pagës së tij të rregullt prej 500,000 pesos (534,45 dollarë). Kur kompania zbuloi gabimin e tyre bankar, ata kontaktuan menjëherë punonjësin e tyre për të vizituar bankën e tij të nesërmen në mëngjes për të zgjidhur shlyerjen.
Gjërat po shkonin sipas planit por më pas punonjësi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, vendosi të mos paraqitej. Jo vetëm kjo, por personi u zhduk plotësisht dhe nuk pranoi as telefonata apo mesazhe. Pas disa kohësh, ai kontaktoi përmes avokatit të tij dhe dha dorëheqjen nga detyra. Kompania më pas vendosi të ndërmarrë veprime ligjore kundër ish-punonjësit në një përpjekje për të rikuperuar fondet.
“Ai u informua dhe u sqarua se këto para nuk korrespondonin me pagesën e asnjë shërbimi”, pohojnë dokumentet ligjore kiliane. Edhe pse ngjarja ka ndodhur në vitin 2022, punonjësi fatlum duket se është zhdukur nga faqja e dheut sepse policia kiliane ende nuk ka mundur ta lokalizojë.
Bazuar në parashikimet tona, ish-punonjësi duhet të jetë i qetë në ndonjë ishull duke jetuar jetën e tij të ëndrrave me paratë e tij të ‘fituara me vështirësi’.



















