
Angelina Jolie ka bërë disa rrëfime të rralla për marrëdhënien me gjashtë fëmijët e saj, duke lënë të kuptohet se distanca mes tyre dhe ish-bashkëshortit të saj, Brad Pitt, vazhdon të ekzistojë.
Në një intervistë për Variety, aktorja 51-vjeçare tregoi se pikërisht fëmijët kanë qenë mbështetja e saj më e madhe gjatë viteve të vështira pas ndarjes nga Pitt.
“Mendoj se shpirti im luftarak është rikthyer më në fund. E humba për një kohë, por po rikthehet kryesisht falë fëmijëve të mi, të cilët tani janë më të rritur dhe më inkurajojnë”, u shpreh ajo.
Jolie dhe Pitt janë prindër të gjashtë fëmijëve: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakëve Knox e Vivienne. Sipas aktores, tashmë ata e nxisin të udhëtojë më shumë dhe të përfshihet në projekte të reja jashtë Los Anxhelosit.
“Ata më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe ende më pëlqejnë. Kjo thotë shumë”, tha Jolie.
Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur të gjashtë fëmijët kanë hequr dorë ose kanë zgjedhur të mos përdorin mbiemrin “Pitt”. Disa prej tyre e kanë ndryshuar atë zyrtarisht, ndërsa të tjerë janë paraqitur publikisht vetëm me mbiemrin Jolie.
Aktorja zbuloi gjithashtu se pas divorcit kishte menduar të largohej nga aktrimi për t’iu kushtuar më shumë regjisurës dhe angazhimeve humanitare. Megjithatë, ajo vendosi të vazhdonte karrierën për të garantuar stabilitetin e fëmijëve të saj.
Jolie ka treguar më herët se kufizimet ligjore pas divorcit e kanë detyruar të qëndrojë në Los Anxhelos, por ka në plan të kalojë më shumë kohë në vende si Kamboxhia, pasi fëmijët e saj më të vegjël të arrijnë moshën madhore.
Ndarja mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt, e nisur në vitin 2016, u shoqërua me vite të tëra betejash ligjore për kujdestarinë dhe çështje të tjera familjare, duke u kthyer në një nga divorcet më të përfolura të Hollywood-it.
