
Emocionet e Lionel Messit pas golit të shënuar në ndeshjen Argjentinë-Algjeri në Botërorin 2026 nuk kishin lidhje me futbollin. Vetë ylli argjentinas la të kuptohej se po kalonte një periudhë të vështirë, ndërsa arsyen e vërtetë e zbuloi disa orë më vonë gazetari argjentinas Eduardo Feinmann.
“Është një çështje krejtësisht jashtë sportit, kam kaluar disa ditë të vështira, falënderoj të gjithë shokët e skuadrës sepse kanë qenë gjithmonë pranë meje”, u shpreh Messi pas takimit, kur u pyet për lotët që derdhi menjëherë pasi realizoi golin e parë.
Sipas gazetarit Eduardo Feinmann, shqetësimi i futbollistit lidhet me gjendjen shëndetësore të babait të tij, Jorge Messi.
“Ka të bëjë me babain. Babai nuk është mirë nga shëndeti. Prej kohësh tashmë, prej disa muajsh, që nga viti i kaluar, Jorge ka një problem shëndetësor mjaft të rëndë. Dhe pikërisht këtë javë kanë ndodhur disa situata që e kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e tij, dhe Messi po vuan për këtë çështje personale”, tha ai në “Radio Mitre”.
Bëhet fjalë për një situatë personale që, sipas mediave argjentinase, po ndikon emocionalisht te kapiteni i Argjentinës, pavarësisht suksesit në fushë.
Marrëdhënia mes Lionel Messit dhe babait të tij ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë. Jorge Messi ka qenë mbështetësi i tij më i madh që nga fëmijëria, duke e shoqëruar në çdo hap të karrierës, që nga ditët në Rosario e deri te transferimi në Barcelonë në moshën 13-vjeçare.
68-vjeçari ka shërbyer për vite me radhë edhe si agjenti i djalit të tij, ndërsa Messi ka treguar shpesh se këshillat dhe miratimi i të atit kanë qenë vendimtare në rrugëtimin e tij. Kjo lidhje e fortë familjare shpjegon edhe momentin prekës që ylli argjentinas përjetoi në fillim të këtij Botërori.
