
Ariana Grande nuk i mbajti dot lotët gjatë performancës së saj në Los Angeles, teksa iu drejtua publikut me fjalë të ndjera në një periudhë të vështirë pas përfundimit të lidhjes me Ethan Slater.
Këngëtarja 32-vjeçare u ngjit në skenën e Crypto.com Arena në kuadër të turneut të saj “Eternal Sunshine”, ku u shfaq e prekur nga pritja dhe dashuria që mori nga mijëra fansa të pranishëm. Mes emocionesh, ajo pranoi se mbështetja e tyre ka qenë një shtyllë e rëndësishme në rrugëtimin e saj artistik.
“Kanë kaluar shtatë vite që kur kam qenë në turne dhe nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, u shpreh artistja, ndërsa falënderoi publikun që e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës dhe karrierës së saj.
Pamjet nga koncerti treguan një Ariana të përlotur dhe të mbushur me emocione, ndërsa fansat iu përgjigjën me duartrokitje dhe brohoritje.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se marrëdhënia e saj me aktorin Ethan Slater përfundoi disa muaj më parë, megjithatë të dy kanë ruajtur marrëdhënie miqësore. Çifti u njoh gjatë xhirimeve të filmit “Wicked”, në vitin 2022.
Pavarësisht zhvillimeve në jetën personale, Grande mbetet e fokusuar te muzika. Ajo po vazhdon me koncertet e turneut “Eternal Sunshine” dhe njëkohësisht po përgatitet për publikimin e albumit të saj të ri, i cili pritet të dalë më 31 korrik.
