
Narciso Rodriguez
All of Me
Modelet e tij frymëzojnë fashionistat në mbarë botën, ndërsa aromat që krijon Narciso Rodriguez prej kohësh kanë arritur statusin e kultit. Stilistin me rrënjë kubaneze e takojmë në një suitë në hotelin Equinox në Nju-Jork, teksa ka ardhur për të prezantuar aromën e tij të re "EdP Intenss". E pranon se ky parfum ka një aromë emocionuese. Një nga stilistët më të njohur amerikanë të modës të shekullit të 21-të, Narciso Rodriguez është i njohur për estetikën e tij unike të elegancës dhe pastërtisë së përjetshme. Me një vizion krijues që i kapërcen kufijtë e modës dhe aromave, puna e tij ka qenë gjithmonë e frymëzuar nga gratë – bukuria, forca dhe hiri i tyre. Narciso Rodriguez mbetet i pagabueshëm dhe besnik ndaj filozofisë për të krijuar aroma ikonike. I lindur dhe rritur në Newark, Nju-Xhersi, nga gjenerata e parë e emigrantëve kubanë, trashëgimia latine e Narciso Rodriguez reflekton qartazi edhe estetikën e tij, kremtimin e një shpirti të fortë femëror duke vlerësuar bukurinë natyrale.
Çfarë përfaqëson Nju-Jorku për ju përveçse vendlindjen tuaj?
Nju-Jorku është një qytet kaq i gjallë, që ka një energji dehëse dhe unë e adhuroj.
A ngjan me parfumin tuaj të ri?
Unë jam me fat sepse kam një kopsht të madh me lule, ku çdokush do të mundet të arrijë të zbulojë ndjesi dhe aroma unike. Por nga ana tjetër, koha kur dal jashtë nëpër qytet më pëlqen, sepse arrij të nuhas aroma që lindin përmes gjelbërimit nën efektin e rrezeve të diellit. Sepse shtëpia ime gjendet në natyrë.
Cili është kujtimi juaj më i hershëm i parfumit?
Isha shumë i ri dhe vizitova familjen time në Florida. Tezja ime i donte lulet dhe kishte një pemë të madhe gardenie. Si fëmijë ne uleshim dhe luanim nën hijen e tyre. Mbaj mend që tezja ime zgjodhi një buqetë me lule dhe i vendosi në tas të vogël pranë lavamanit kur lante enët. Kjo ishte një aroma, e cila më ka mbetur ende në flegrat e hundës.
Pse myshku është gjithmonë shumë i pranishëm në aromat tuaja?
Sepse unë u rrita në vitet '70, ishte pikërisht periudha kur myshku ishte një zbulim epokal. Të gjithë e kujtojmë atë kohë, kur blinim ato shishet e vogla të myshkut që kushtonin rreth tetë dollarë dhe asokohe ishte një pasuri e madhe. Por mënyra se si kjo aromë erdhi pastaj duke u shndërruar në një dhe u bë pjesë e jetës dhe identitetit tim, mbetet një ndjenjë e cila më ka formuar për gjithë jetën.
Kujt i përshtatet më shumë myshku?
E mira e aromës së myshkut është sepse mund të përshtatet me çdo lloj lëkure, femërore ose mashkullore qoftë, e sidomos duke e kombinuar me erëza të tjera, forcohet më shumë. Mua më pëlqen të kombinoj disa shtresa erëzash dhe jam i lumtur kur shoh që pastaj lind një aromë e panjohur, e cila kthehet në një trend.
Cilat janë tendencat e parfumeve të momentit?
Mendoj se aktualisht të preferuara konsiderohen të gjitha linjat e parfumeve që bëhen gjithnjë e më shumë uniseks. Sepse nëse sheh aromat mashkullore, ato kanë edhe pak trëndafil dhe piper rozë, duke anuar pak nga fragrancat femërore. Nëse në një periudhë të krijimtarisë sime isha i shqetësuar se parfumi do të bëhej më pak i rëndësishëm, kuptova se tani ka një brezi të ri i cili është i interesuar për aromat uniseks.
Çfarë ju frymëzon kur krijoni një aromë të re?
Frymëzimi vjen nga një moment apo periudhë e jetës. Për shembull, kur krijova parfumin “All of Me”, ishte djali im i cili në mënyrë të pafajshme i zgjodhi emrin. Kisha ditë që punoja në studio, isha në momentet finale, shumë i lodhur dhe ai erdhi më përqafoi, më përkëdheli fytyrën dhe më tha, "Ti je gjithçka për mua". Atë çast thashë: uau, ky është një emër kaq i mrekullueshëm për një aromë. Ka shumë gra që më kanë frymëzuar në punën time, nga aroma deri te krijimi i flakonit.
Po aromën tuaj të re "EdP Intense", si do ta përkufizoje?
Ky parfum ka një erë paksa magjike, sepse ka të përziera erëza delikate me lule dhe myshkun. U lançua në vitin 2025 në bashkëpunim me Sonia Constant dhe kjo hapet me aromë të lehtë me pjeshkë dhe Bergamot kalabrie, vazhdon me myshkun e bardhë dhe lule, duke u mbyllur me vanilje, vetiver si dhe qelibar druri.