KreuCelebrity

Ekskluzive/ Hana Cakuli mes mëmësisë, muzikës & AMAZON-ës!

Ekskluzive/ Hana Cakuli mes mëmësisë, muzikës &

Një rrëfim nga Mynihu me këngëtaren e dashur nga Ulqini, për jetën e re familjare, artistike dhe profesionale

Nga Ilda Lumani

Teksa lundroja një pasdite në Instagram, ngela për pak minuta te profili i këngëtares së dashur Hana Cakuli; hitbërëses së “U shërova” e “Simbol”. Fotot me fëmijët dhe jeta në Gjermani, ishin ngacmimet e para për një bisedë kurioze mes dy të njohurave një gazetare dhe një këngëtare, e më pas isha e bindur, që kërshëria e fansave të saj do të ishte po aq sa e imja. Andaj, kjo intervistë uroj të shuajë dhe dëshmojë këtë realitet të ri të artistes simpatike ulqinake aq të dashur për të gjithë!

Hana, mirë se erdhe në BORDO! Për fansat e tu dhe audiencën e gjerë ka një kuriozitet, dhe unë doja ta nisja këtë intervistë pikërisht me atë që bën aktualisht. Ti jeton në Gjermani, por si është në fakt dita jote, jeta jote aty?

Për momentin jam në pushim të lehonisë, pasi linda vajzën e tretë në datë 2.4.2024. Përndryshe punoj ‘full time’ për Amazon Web Services dhe kështu dita ime është shumë dinamike me punë e po ashtu me tri vajzat (dy binjaket dhe tash bebushen). Gjatë fundjavave kaloj kohën me familjen apo shoqërinë në Mynih, gjithashtu edhe jashtë/afër Mynihut, p.sh. në ndonjë liqen apo edhe shtetet e afërta, si Austria, Italia, e Zvicra.

Ekskluzive/ Hana Cakuli mes mëmësisë, muzikës &

Çfarë të mungon nga vendlindja?

Normalisht më së shumti më mungojnë familja dhe shoqëria që kam atje. Gjithashtu edhe fansat e muzikës që jetojnë në mbarë trojet shqiptare. E po patjetër më mungon edhe gjuha shqipe, sidomos duke dëgjuar gjuhën gjermane të komplikuar çdo ditë (qesh).

Ju jeni mama e tri vajzave, çfarë të ka mësuar mëmësia?

Mëmësia më ka mësuar që kam një forcë që nuk e kam ditur se është brenda meje. Është puna më e rëndësishme që kam dhe është me të vërtetë një dashuri pa kushte dhe pa kufi.

Çfarë ka ndryshuar te ty si nënë nga njëra lindje te tjetra?

Lindja e parë ka qenë lindja e binjakeve, të cilat ishin edhe të lindura para kohe. Kështu që mësimet kanë qenë të shumta. Ka patur edhe shumë vështirësi derisa ato i kaluan 6 javët e para në spital, pastaj të rrisësh dy përnjëherësh është një sfidë më vete. Dhe tani, pasi linda vajzën e tretë, eksperienca është komplet ndryshe. Kam më shumë kohë për të, e shijoj më shumë duke qenë se kam dhe eksperiencë; dhe më duket shumë më e lehtë krahasuar me binjaket. E shoh që jam më e qetë si nënë dhe më e sigurt.

Çfarë moshe kanë vajzat dhe sa ndryshojnë ato nga njëra-tjetra?

Binjaket kanë 9 vjet dhe vajza e tretë ka 8 muaj. Binjaket në pamje janë mjaft të njëjta, ka persona që nuk i dallojnë fare. Kurse për nga karakteri janë mjaft të ndryshme. E treta ka dalë ndryshe në pamje dhe shumë më e qetë si bebe, krahasuar me ato dyja. Karakterin do ia shohim kur të rritet edhe pak.

Bashkëshorti juaj është nga ata baballarë që përfshihen në rritjen e fëmijëve, apo këto janë punë grash?

Bashkëshorti është një super baba, është i përkushtuar. Ka qenë kështu që nga lindja e binjakeve, e po ashtu edhe tani me bebushen. Merr kohë për vajzat, punon me to, mëson me to, luan, gatuan për to, etj. Është mjaft familjar dhe kjo ka shumë rëndësi për familjen, sidomos kur jeton jashtë.

Ekskluzive/ Hana Cakuli mes mëmësisë, muzikës &

Përtej rritjes së vajzave dhe punës, si e ke ndërtuar jetën aty në Gjermani?

Puna për Amazon Web Services është e bukur. Unë kam përgjegjësi menaxheriale për një ekip të shpërndarë nëpër Evropë dhe puna është dinamike e çdo herë me risi. Përveç kësaj, vazhdoj dhe me muzikën. Kam bendin UNIBEAT me të cilin bëjmë covers të ndryshme nëpër evente të firmave, dasma të ndryshme, ditëlindje apo çfarëdo lloj arsye për të cilën na ftojnë njerëzit. Kjo është ndryshe nga muzika shqip që bëj dhe mënyra e plasimit, por që muzikën e kam një nga pasionet e mia dhe e vazhdoj patjetër në një formë ose tjetrën.

Për ata që mezi presin të dëgjojnë zërin tënd të ëmbël dhe një tjetër hit nga ty, çfarë lajmesh kemi?

Në këtë moment kam gjithçka pezull, duke qenë se jam me një bebe 8-muajshe. Shpresoj së shpejti të rikthehem me ndonjë projekt muzikor, por çdo gjë me avash.

A të mungon skena?

Sigurisht. Skena është nga vendet e mia të preferuara, aty ku “jetoj”. Domethënë më mungon skena shqiptare dhe televizioni. Siç e thashë, jam dhe këtu aktive me muzikën, nëpër evente me bendin me covers, por që është për publikun këtu ne Gjermani.

Po ekrani? Ju dikur keni moderuar edhe një emision? E risheh atë opsion karriere tanimë?

Moderimi është një pasion tjetër i imi. Duke qenë kështu, nuk e përjashtoj mundësinë që të rikthehem si moderatore në ndonjë event apo ‘show’.

Nga vendlindja, çfarë të mungon? E viziton shpesh?

Duke qenë se mamin e kam nga Prishtina dhe babin nga Ulqini, më mungojnë të dy vendet. Përveç familjes e shoqërisë, nga Ulqini më mungon deti dhe nga Prishtina më mungon kafja e shijshme dhe jeta e natës atje. Patjetër që më mungon edhe Tirana – aty kam jashtëzakonisht shumë kujtime me muzikën.

E ndjek muzikën shqiptare? Kush është artisti që të pëlqen më shumë sot?

Mendoj se ka plot këngëtarë e bende të shkëlqyera shqiptare. Gjithnjë përmend emra të ndryshëm vokalistësh që më pëlqejnë, e ata janë (të përmend vetëm disa): Eneda Tarifa, Elhaida Dani, Genc Salihu, Petrit Qarkaxhiu, etj..

Ekskluzive/ Hana Cakuli mes mëmësisë, muzikës &

Me kë prej tyre do të doje të bëjë një bashkëpunim?

Për bashkëpunim jam e hapur me cilindo artist që e vlerësoj si vokalist dhe muzika e të cilit/cilës më pëlqen.

Po festivalet të intrigojnë? E ke menduar t’i rikthehesh edhe njëherë garave?

Ka qenë një kohë në fillim të karrierës sime muzikore kur kam qenë shumë aktive në festivale. Mendoj se kjo është një mënyrë e mirë për t’u promovuar. Nuk e besoj se do të jem ndonjëherë aktive si në fillim, më shumë mendoj të fokusohem në koncerte/evente të ndryshme.

Si e parashikon të ardhmen tënde pas 10 vitesh?

Wow, 10 vite është shumë të flasësh në një botë kaq dinamike e të ndryshueshme. Mbase për 5 mund të jem më konkrete. Shpresoj që në 5 vitet e ardhshme të kem ende avancime në punë (flas për profesionin tim në menaxhim), të vazhdoj me muzikën në mënyrë shumë më aktive se tani, duke qenë se vajzat do të jenë më të rritura dhe kjo do të jetë më lehtë e mundshme.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF