Hygerta Sako ka dhënë një intervistë për kanalin YouTube të revistës “Bordo”, ku ndër të tjera ka folur për karrierën e saj si një nga gazetaret më të mira të sportit.
Teksa u pyet nëse ka qenë e vështirë që të jetë pjesë e një bote të dominuar nga burrat, ajo tha, “Të them të drejtën që në fillimet e mia në vitin 1999, kur nisa të merrem me programe sportive, jam paragjykuar. Më kujtohet që nuk më merrnin seriozisht dhe mendonin se jam thjesht një vajzë e bukur, në një studio ku flitet për sportin. Ndërkohë unë jo vetëm kisha parë gjithmonë futboll, por edhe e shijoja dhe isha e mirinformuar rreth këtij sporti.
Me kalimin e kohës nisën të më vlerësonin por më duhet të them që sërish jo plotësisht. Fatmirësisht mes skeptikëve dhe paragjykuesve, ka patur edhe burra që e kanë kuptuar që unë nuk isha rastësisht në programe sportive dhe më kanë mbështetur. Sot besoj se e kanë kuptuar dhe pranuar të gjithë burrat e sportit, se ky profesion nuk është ekskluzivitet i tyre, pasi shumë mirë mund ta bëjë edhe një grua (qesh)”.
Ndërkohë në lidhje me intrigat dhe bërrylat e televizionit, Hygerta u shpreh se fakti që ka rezistuar për 30 vite karrierë tregon që nuk ia kanë dalë ta mbposhtin.
“Çdo ditë! Por kjo nuk mendoj se ndodh vetëm në televizion. Sepse ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz ambiciozë apo edhe mediokër, që përpiqen të dalin mbi ujë e që zgjedhin të mbijetojnë falë intrigave. Personalisht i lë të lirë të vijojnë me planet e tyre, sepse fakti që kam rezistuar për 30 vite karrierë tregon që nuk më ‘mbysin’ dot me gjithë përpjekjet”, tha ajo.



















