Ikona e modës, por edhe kinemasë, nga dje deri në ditët e sotme
Kur ishte ende një adoleshente, jeta e Laetitia Casta-s u kthye në një përrallë, por aspak nga ato që vajza 14-vjeçare kishte ëndërruar. Ajo e filloi karrierën në modeling në vitin 1993, pasi u pikas nga fotografi Frédéric Cresseaux në një plazh në Normandi, e më pas u kthye në muzën e shtëpive më të mëdha të modës, si Jean Paul Gaultier, Givenchy apo Yves Saint Laurent. Nga debutimi i saj në pasarelë e deri te rolet e saj në kinema, bukuroshja franceze flet për supernatyrën e saj të ndjeshme, por edhe temperamentin e zjarrtë.
Laetitia, si ka qenë fëmijëria juaj?
Fëmijëria ime ka kaq shumë kujtime dhe tani kur e mendoj them që rrethohej nga peizazh thuajse magjik. Ky ndërgjegjësim është më aktual tani, kur shoh kopshtin e prindërve të mi, pemët e portokallit dhe limonit që mbushin kopshtin dhe në çdo cep ka kaq shumë kujtime. Jam rritur mes Normandisë dhe Korsikës, ndaj edhe emocionet janë të forta, sidomos kur shkoj në këto vende, që më përcjellin mesazhe që vijnë nga e shkuara, e sidomos fëmijëria ime.
Çfarë ka ndryshuar nga vajza e vogël Laetitia?
Jam më e çliruar, sepse kam qenë natyrë e mbyllur. Edhe në momentet më të forta të lumturisë, isha e ndrojtur. Profesioni më ka ndihmuar të mos kem frikë, të ndihem e lirë, të flas dhe shprehem për gjithçka.
Pra, profesioni ju ka mbushur emocionalisht?
Puna është vetë jeta. Në mënyrë të pavetëdijshme, më plotësoi këtë boshllëk dhe vizatoi karakterin tim.
Keni qenë në qendër të vëmendjes që 14-vjeçare, si është të jesh e famshme kaq e re?
Pa dyshim ka të mira dhe të këqijat e saj. Sepse e ekspozojmë veten ndaj kritikave, shpesh shumë të dhunshme, që ndikojnë gjatë formimit tonë. Por është edhe bukur sepse njerëzit të duan. Pra, është po aq e bukur, sa është edhe e dhimbshme.
E mban mend herën e parë kur kuptove se ishe e famshme dhe si e përjetove famën?
E mbaj mend shumë mirë. Isha në rrugë dhe një autobus me fytyrën time më kaloi para syve. U skuqa deri te veshët, më dukej sikur po më shihte e gjithë bota. Ishte tronditëse për një adoleshente, e cila nga një vajzë e zakonshme, shkon një mëngjes në shkollë dhe papritur, jeta ndryshon kryekëput. Ishte kaq brutale kur më shihnin dhe nuk më flisnin, ose thjesht qeshnin. Edhe sot kam një marrëdhënie të çuditshme me famën. E injoroj, sikur të mos ekzistonte. Besoj se kam krijuar një lloj amnezie rreth kësaj, sigurisht kur shfaqem në rrugë apo market, kjo më bën të mos harroj se jam e famshme.
Kur filloi dëshira juaj për kinemanë, dëshira për të qenë aktore?
Shumë herët, dhe kjo dëshirë ka lindur përmes modës. E mira e modës është se ajo të shton një oreks të pangopur për imazhin. Frymëzimi ishte kudo, kështu që të gjithë cilindrat që ushqenin këtë dëshirë më çuan në rrugën e kinemasë.
Cili është ndryshimi midis një sheshxhirimi dhe një seti fotografik?
Unë nuk shoh ndonjë ndryshim, përveç marrëdhënies me kohën: një seancë fotografike zgjat një ose dy ditë, ndërsa xhirimet e filmit mund të zgjasin mbi një muaj apo edhe më shumë. Pastaj pjesa tjetër, nga stilisti te parukieri e grimieri, janë identike, sepse edhe fotografia në thelb është një minifilm. Sigurisht, ka një ndjenjë intimiteti në skenat e filmit, që nuk ekziston në sesionet fotografike. Filmi të ndihmon shumë të forcosh imazhin përmes fjalës apo gjesteve që përcjell në një skenë, ndërsa në fotografi, rregullat nuk shkelen, duhet të jesh e përsosur në çdo aspekt.
Cili është filmi yt i preferuar?
Filmi “Plaku dhe Fëmija” nga Michel Simon, të cilin e pashë kur isha shumë e vogël, madje u trondita nga elasticiteti dhe aftësia e aktorëve.
Po aktorja që ke patur idhull?
Aktorja që më ka goditur kur e pashë në kinema është Nastassja Kinski në filmin “Paris Texas”. Isha e hipnotizuar prej saj.
Cili është filmi më i paharrueshëm në të cilën keni marrë pjesë?
Filmi “Savage Souls” nga Raúl Ruiz. Unë isha 19 vjeçe dhe pata një lidhje shumë të fortë me këtë regjisor. Ai më inkurajoi shumë, ishte kaq i kultivuar dhe më ka pasuruar profesionalisht shumë. Ai nuk dorëzohej edhe kur unë isha e dërrmuar nga xhirimet. Edhe pse isha shumë e re dhe pa përvojë, ai më ka besuar. Sa fat të takosh në jetë njerëz të tillë, nga të cilët ke çfarë të mësosh.
Çfarë do të kishit bërë nëse nuk do të ishit zbuluar në plazh në verën e vitit 1993?
Vizatimi dhe piktura më kanë tërhequr gjithmonë, ndaj mendoj se do të kisha ndjekur një shkollë arti. Ndoshta nuk do të isha në Paris, por me shumë mundësi në ndonjë fshat në Normandi ku jam rritur.
A besoni te fati?
Shumë dhe jam supersticioze. Unë jam në gjendje t’i jap kuptim edhe një gjetheje që lëviz dhe mendoj se kjo është një dhuratë. Në të njëjtën kohë, unë nuk e shoh fatin si një pashmangshmëri totale, por disa rrugë përballë të cilave ne kemi mundësi zgjedhje.
Ju jeni një modele, aktore, shkruani dhe pikturoni, nga e merrni frymëzimin?
Vjen nga fakti se kur isha më e re, të mos pasurit mundësi shprehje, sepse isha më e kufizuara, më pengonte, ndërsa tani që i njoh aftësitë e mia nuk dua të ndalem së shprehuri. Me kalimin e viteve, arsimi dhe eksperienca i nxorën në pah të gjitha. Kur ishim të vegjël duhet të dëgjonim të rriturit, duke na frenuar të shprehemi. Sot, unë nuk pranoj të hesht, dua të shprehem në çdo lloj forme.
Cili është tipari juaj kryesor?
Mirësia dhe kokëfortësia.
Po defekti juaj më i madh?
Kokëfortësia, shpesh duke e kaluar limitin.
Si është të jetosh me një aktor?
Kjo pyetje është paksa e vështirë, por unë kam një këshillë: çfarëdo profesioni ka bashkëshorti juaj, është e nevojshme ta mirëpritni krahë hapur dhe asnjëherë mos flisni për punën kur jeni në shtëpi.
A jeni penduar?
Absolutisht jo. Nuk duhet të bëhem e hidhur për zgjedhjet e mia, se pastaj plakem shpejt (qesh). Unë e transformoj çdo keqardhje të vogël në një shprehje: mund të kisha bërë më mirë. Në fund të një përvoje, sidoqoftë ajo, e mirë apo jo, asgjë nuk mund të na shkaktojë keqardhje, por duhet marrë si një përvojë pasuruese.
Imagjinoni një darkë me tre personazhe të famshëm, kë do të ftoni?
A mund të ftoj katër? Do të zgjidhja Nënë Terezën, François Mitterrand, Yvette Horner dhe Louis de Funès.


Horoskopi ditor, e martë 28 janar 2025



10 vjet pa Gent Demaliajn!












Ndahet nga jeta reperi DJ Unk


