Dasma luksoze e Dua Lipës dhe Callum Turner në Siçili po merr përmasa spektakolare, ndërsa Palermo është kthyer praktikisht në një “zonë të blinduar” për shkak të festimeve të çiftit të famshëm.
Pas martesës sekrete në Londër më 31 maj, këngëtarja shqiptare dhe aktori hollivudian po organizojnë celebrimin madhështor nga 5 deri më 7 qershor mes Palermos dhe Bagherias, me rreth 300 të ftuar VIP nga bota e muzikës, modës dhe filmit.
Autoritetet italiane kanë mbyllur disa nga sheshet kryesore të qendrës së Palermos për tri ditë rresht, ndërsa policia dhe sigurimi privat po bashkëpunojnë për të garantuar privatësinë totale të eventit.
Zona rreth Piazza Santa Anna dhe Piazza Croce dei Vespri do të jenë të aksesueshme vetëm për të ftuarit dhe stafin e autorizuar. Zyrtarisht, bashkia ka deklaruar se bëhet fjalë për një “prodhim demonstrativ në shesh”, pa përmendur emrin e Dua Lipës apo dasmën.
Sipas raportimeve, banorëve të zonës po u kërkohet të deklarojnë sa persona do të kenë në banesat e tyre gjatë ditëve të eventit.
“Është gjithçka tepër sekrete. Ka masa shumë të forta sigurie dhe policia lokale është përfshirë në organizim bashkë me sigurimin privat,” tha një burim pranë organizatorëve.
Madje, sipas mediave britanike, ekipi i wedding planner-es së njohur Alessandra Grillo po u shpërndan marrëveshje konfidencialiteti (NDA) qindra banorëve dhe personave të përfshirë në event, për të shmangur publikimin e fotove apo videove në rrjetet sociale.

Nga e enjtja, Siçilia pritet të mbushet me yje ndërkombëtarë për atë që po konsiderohet “dasma e vitit në showbizz”.
Në listën e emrave që përfliten janë Elton John, Charli XCX, Olivia Dean, Mark Ronson, Donatella Versace dhe Simon Porte Jacquemus.
Madje, sipas thashethemeve, Elton John mund të performojë gjatë një prej netëve festive.
Të ftuarit do të akomodohen në hotelin luksoz Villa Igiea në Palermo, ku një natë qëndrimi kushton rreth 1000 euro.

Festimet do të nisin të premten me kokteje në Palazzo Gangi, një prej ndërtesave më ikonike të Siçilisë, e njohur për skenën legjendare të valsit në filmin “The Leopard”.
Më pas, të ftuarit do të zhvendosen në Galleria d’Arte Moderna për darkë dhe evente private.

Kulmi i dasmës pritet të mbahet të shtunën në Villa Valguarnera në Bagheria, rezidenca baroke që është përdorur edhe në serialin hit të HBO-së “The White Lotus”.

Villa Valguarnera konsiderohet një nga monumentet historike më të rëndësishme kulturore të Italisë dhe ka qenë më herët skenë filmash, reklamash luksoze dhe eventesh ekskluzive të modës.
Në këtë rezidencë madhështore u martua edhe supermodelja italiane Mariacarla Boscono në tetor 2024.
Ndërkohë, disa prej të ftuarve VIP pritet të akomodohen në Villa Igiea, hotelin historik me pesë yje që sheh mbi Gjirin e Palermos.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendje është fakti se një prej fustaneve që Dua Lipa pritet të veshë në Siçili mund të jetë realizuar nga një atelier i njohur në Palermo, si një homazh për traditën lokale të modës.
Po ashtu, mediat italiane raportojnë se banketi i dasmës mund të jetë kuruar nga një shef kuzhine romak me dy yje Michelin.
Ndërsa shumë banorë janë entuziastë që Dua Lipa ka zgjedhur Palermon për dasmën e saj, të tjerë janë irrituar nga kufizimet dhe masat e sigurisë.
“Jam shumë e lumtur që ka zgjedhur Palermon për martesën. Më pëlqen muzika e saj,” tha një punonjëse bari në qytet.
Por një tjetër banor ironizoi situatën:
“Shpresoj që bashkia të ketë përfituar mirë financiarisht nga kjo. Ndoshta Dua mund t’i bëjë qytetit një dhuratë… një koncert falas në plazh!”
Mes luksit ekstrem, sekreteve dhe pranisë së yjeve botërorë, dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner po e kthen Siçilinë në qendrën globale të glamour-it për këtë fundjavë.
