Një debat i tensionuar është regjistruar gjatë transmetimit të emisionit “Shqipëria Live”, ku moderatorja Sidorela Gjoni dhe shkrimtari Albatros Rexhaj u përfshinë në një përplasje të fortë verbale në studio.
Gjithçka nisi pas një komenti të Rexhajt mbi intervistën e zhvilluar më herët nga Gjoni me kryeministrin Edi Rama. Ai e akuzoi moderatoren se kishte mbajtur një qëndrim të njëanshëm dhe, sipas tij, kishte ushtruar “bullizim” ndaj kreut të qeverisë gjatë bisedës.
“Ti në atë intervistë e bullizove kryeministrin. E shfrytëzove momentin tënd dhe e trajtove me deklarata e fjalë që nuk ishin në rregull,” u shpreh Rexhaj gjatë debatit.
Moderatorja reagoi menjëherë duke e kundërshtuar këtë interpretim dhe i kërkoi të specifikonte se cilat deklarata konkrete i konsideronte si bullizuese. Këmbëngulja e të dy palëve për të mbrojtur qëndrimet e tyre e rriti më tej tensionin në studio.
Situata u përshkallëzua kur Rexhaj vijoi të mbante të njëjtin qëndrim, ndërsa Gjoni i kërkoi të ndiqte rregullat e diskutimit dhe të përgjigjej drejtpërdrejt pyetjeve të saj. Në një moment të nxehtë debati, moderatorja i la të kuptohej se i ftuari mund të largohej nëse nuk pranonte formatin e bisedës.
Rexhaj: Çka dua jam unë, Çfarë problemi ke ti. E keni sjellë punën që nëse reagon është arrogant, nëse nuk reagon është keq, është i dobët.
Gjoni: Unë s’kam bërë asnjë koment.
Rexhaj: Ishte paraqitja jo më profesionale e jotja në historinë tënde.
Gjoni: Pse je mërzitur kaq shumë Albatros? Kush u mërzit më shumë, ti apo ndonjë tjetër?
Rexhaj: Unë më shumë. Se ishte shumë e keqe. Ta them vetëm një fjalë.
Gjoni: Jo, s’do thuash më asnjë fjalë se do të të drejtoj pyetjen.
Rexhaj: Se nuk të vij më në studio.
Gjoni: Po mos hajde, mund të ikësh që tani.
Rexhaj: Hiç nuk të vij.
Gjoni: Mund të largohesh në ccdo moment, mund të çohesh dhe të largohesh.
Pas kësaj, Rexhaj u ngrit dhe u largua nga studio, duke kritikuar emisionin gjatë daljes dhe duke deklaruar se në hapësira të tilla, sipas tij, mungon vend për mendime ndryshe.
“Ka mjaft njerëz që flasin kundër Ramës. Mua nuk më ndikoni dot. Problemi është se nuk pranohen mendimet ndryshe,” u shpreh ai para se të linte studion.
Nga ana tjetër, Sidorela Gjoni e mbylli situatën me një ton ironik, duke deklaruar se programi i saj i jep hapësirë mendimeve të ndryshme dhe duke e falënderuar të ftuarin për “spektaklin televiziv”.
