Influencuesja spanjolle Fati Vázquez ka deklaruar se ka marrë kërcënime me vdekje, pasi u përfol për një lidhje të mundshme me futbollistin e Barcelonës, Lamine Yamal.
30-vjeçarja, e ndjekur nga afro 400 mijë persona në Instagram dhe mbi 320 mijë në TikTok, u vu në qendër të vëmendjes pas publikimit të disa fotove nga pushimet. Ndjekësit vunë re se pamjet e saj përkonin me ato të 17-vjeçarit Yamal, përfshirë sfondin shkëmbor në një varkë dhe një pishinë “infinity” me të njëjtat elemente vizuale në prapavijë.
Këto ngjashmëri ndezën spekulime për një romancë mes tyre, të cilat u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Megjithatë, influenceri Javi De Hoyos i hodhi poshtë thashethemet, duke thënë se kishte komunikuar personalisht me Yamal: “Nuk ka asgjë mes tyre. Ai ndodhej atje me shokë të ekipit të Barcelonës.”
Javi De Hoyos shtoi se, sipas tij, Fati Vázquez mund të ketë qenë në të njëjtin vend pushimi për arsye të tjera ose e lidhur me ndonjë tjetër futbollist të Barcelonës. Megjithatë, përkundër këtyre përgënjeshtrimeve, Vázquez ka treguar se është përballur me kërcënime serioze me vdekje, të cilat i ka ndarë me ndjekësit në Instagram.
“Është e trishtueshme të shohësh se sa errësirë mbajnë brenda vetes disa njerëz, sa i dëshirojnë vdekjen dikujt që as nuk e njohin,” shkroi ajo. “Unë zgjedh të jetoj me qëllimin për t’u rritur dhe për t’u rrethuar me dritë. Atyre që më dëshirojnë të keqen, u uroj shërim.”
Ndërkohë, Lamine Yamal ndodhet në Itali për disa ditë pushimi, pas një sezoni të shkëlqyer si me Barcelonën, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle. Adoleshenti 17-vjeçar është tashmë një emër i përmendur seriozisht si pretendent për Topin e Artë, falë paraqitjeve të tij mbresëlënëse në fushë.



















