20 vite muzikë në një koncert recital, që u bë ngjarje në Prishtinë!
Nga Ilda Lumani
Të kthehesh në shtëpinë tënde është aq bukur, po aq edhe sfiduese. Vesa Luma e dinte që në krye të herës, se koncerti i saj recital në Prishtinë do të ishte më i rëndësishmi i jetës së saj. Pritshmëritë janë të mëdha, përgjegjësia është mbinormale, rikthimi shoqërohet me shumë pasiguri, por me të vetmen armë të palëkundur zërin dhe muzikën. Vesa e dinte që çdo gjë do të realizohej siç e kishte në kokë. Kështu nisën vajtje-ardhjet Tiranë-Prishtinë në këtë dimër, që u kthye në verë në skenën e Arenës së Klan Kosovës, më 27 nëntor.
“Ky koncert ka qenë më afër zemrës për arsye se në Prishtinë jam rritur. Shoqëria dhe njerëzit në Prishtinë shohin më shumë detaje. Ishte hera e parë që përkujdesesha nga A-ja deri te Zh-ja për çdo gjë, ndriçim, skenografi, e deri te tingëllimi i zërit”, ndan me “Bordo” Vesa.
Teksa, tiktak-u shënonte fillimin e koncertit, aty në passkenën vigjilente, e lajmërojnë se duhet të presë pak. Nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Ishte duke hyrë kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe duhej ndjekur protokolli. Ai ulej i fundit dhe band-i niste muzikën...Vesa dilte dhe gjithçka merrte udhë. “Unë në pas skenë nuk e dija çfarë po ndodhte dhe u shqetësova disi. Ai ishte një emocion, që nuk mund të merrja dot frymë. Do ta kujtoj gjithmonë jam e bindur”, tregon Vesa.
Koncerti recital i 20 viteve muzikë, të hitbërëses së “Jemi Dhe S'jemi”, “Luaj”, “Një Natë Për Mua”, “Të Kam Dashur Shumë”, ishte një ngjarje jo vetëm muzikore, por historia e një artisteje që e nisi karrierën e muzikës fare e vogël, që jetoi dramën e bashkëmoshatarëve të saj të Luftës, që spikati si një nga zërat më origjinalë dhe me një sjellje skenike që e veçoi, që tek “Ethet e së premtes mbrëma”, që në rrugëtimin e saj artistik ka mbajtur një standard cilësor, pa u mbështetur te ‘scoop-et’ dhe bërjen e gjërave për hir të famës...
Nuk kishte ndodhur më parë në Prishtinë për një koncert, që biletat të shiteshin 4 ditë para evenimentit dhe sigurisht rrallë ndodh që në audiencën e një koncerti të kesh kundërshtarë politikë, njerëz që zhveshin kostumin e seriozitetit për t’u bashkuar në ovacione e kërcime për vajzën e qytetit, nga Kurti te Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij Anita, nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, te ministri i Kulturës, Shëndetësisë e të tjerë drejtues institucionesh. “Më kanë bërë të gjithë të ndjehem shumë e vlerësuar! E respektuar, gjë që e ka bërë më të madhërishëm atë eveniment dhe 20-vjetorin e karrierës”, shprehet ende e emocionuar Vesa.
Momenti më i veçantë i koncertit në fakt ishte më personal. “Unë ia bëra nënës sime një lloj befasie. Ajo ka ndjekur me mua gjithë procesin e këtij koncerti dhe unë nga skena i tregova që ai recital i është përkushtuar asaj. Kur ia thashë në skenë në prani të të gjithëve, ajo u emocionua shumë, me atë rast u emocionova dhe unë!”.
Familja e vogël e Vesës, bashkëshorti artisti Big Basta padyshim që ishte pjesë e koncertit dhe ndanë artin e tyre së bashku në skenë, ndërsa nuk mungoi dhe i vogli i tyre Lian, elementë sa familjar aq edhe spektakolarë, që u mbështetën masivisht nga publiku. “Koncerti pati në strukturën e vet një larmi momentesh të bukur. Sigurisht çaste melankolike, për baladat, të cilat janë shumë të ndjera dhe njerëzit kanë qejf t’i këndojnë, por edhe ato ritmiket i këndojnë të gjithë bashkë. Momenti kur u ngritën në këmbë, ishte pasi kaloi pak më shumë se fillimi kur unë këndova një këngë, e cila i kushtohej vendit tim. Pastaj nuk ndaluan më, kështu që kanë ndenjur në këmbë gjatë gjithë kohës”.
Arrita ta përfytyroj gjithë këtë atmosferë, të ngjashme me koncertin e shkurtit të Vesës në Tiranë dhe e dija se si kishte ecur hap pas hapi. E ndërsa perdja e këtij kapitulli të ri të Vesës ra, fansat po presin këngët e reja të 20 viteve të ardhshme të karrierës së Vesës, e bashkë me ta dhe unë, si një dëshmitare e jetës dhe karrierës, së artistes së rrallë dhe nuses së Shqipërisë, Vesa Luma.