Kur je në Baku, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, të duket sikur realisht je futur në shpellën e Aladinit! Ky vend është i pabesueshëm, thjesht i mahnitshëm! I shtrirë në detin Kaspik, Baku është qyteti ideal për ata që dashurojnë diellin. Pse? Sepse ai ka rreth 270 ditë në vit plot me shkëlqim! Njihet edhe me një pseudonim tjetër, “Qyteti i erës”; kaq e vërtetë është kjo, sa askush nuk mbetet pa e provuar erën “mbi kurriz”, edhe nëse shkon për pak ditë atje!
Për çfarë është i famshëm Azerbajxhani?
Për tre gjëra:
1. Për naftën.
2. Për gazin.
3. Për shafranin.
Si atraksion, vetëm 6 km larg Bakusë ndodhet i hapur për publikun dhe turistët pusi i parë i naftës në botë, “The world first industrially drilled oil well“, që daton vitin 1846. Azerbajxhanasit e thjeshtë mburren me këtë. Kjo justifikon edhe namin e dalë nëpër rrjete sociale, si “qyteti i florinjtë”. Por banorët aty janë të thjeshtë, s’kanë të bëjnë fare me “floririn” e tij, dhe turistët mirë është që “të zgjedhin të jenë të thjeshtë” gjithashtu.
Sa për “gazin”, atë e sheh tek shpaloset në Ynardag. Flakët që mbushin kodrën nuk i ka ndezur askush, ato rrinë ashtu natë e ditë, në erë e në shi, duke e kthyer në atraksion e tërheqje për turistët gjithë zonën.
Rrethinat e Bakusë përcjellin kuriozitete të ndryshme, siç janë edhe vullkanet Mud dhe e gjithë pllaja Gobustan!
Nuk duhen lënë pa vizituar asgjë nga këto, nëse shkon të vizitosh Azerbajxhanin! Si edhe të hash drekën në një restorant tradicional (që përfshihet në gjithë guidën e mësipërme!)
Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, një vend si përrallat me Aladinin, ku nëse fërkon llambën magjike mund të udhëtosh mbi tapetin fluturues, që nga sarajet Shirvanshahs me 44 dinastitë e shahëve që ka njohur, deri te 3 kullat magjike të flakës; që nga xhiro me gondola në “Venecian e vogël“, deri te magjepsja e bukuria e xhamisë Bibi Heybat…; që nga Kulla e Vashës brenda qytetit të vjetër mijëravjeçar, rrethuar me mure të gurta, deri te qendra Heydar Aliyev, ndër veprat më madhështore përsa i përket arkitekturës në Baku, realizuar nga arkitektja me emër Zaha Hadid.
Baku është vendi ku modernia përputhet dhe ndërthuret aq bukur me historiken dhe përrallën, sa nëse nuk e shikon vetë, të duket jo e vërtetë. Xhamitë, statujat e lashta, vendet e kultit, qëndrojnë për bukuri e krenare përpara ndërtesave gjigante e me arkitekturë të guximshme të arkitektëve të kohërave moderne.
Kur je në Baku dhe ecën nëpër rrugë, djem të rinj të ngjiten nga pas për të të bërë “guidë“- pra turizmi duket të jetë diçka që ka vlerë dhe mban shumë familje me bukë. Nëse nuk i pranon, largohen menjëherë. Polica të veshur e civilë ka në çdo cep e çdo qoshe. Kjo zakonisht më bën të mendoj për vend të pasigurt.
Popullsia është 97% myslimane, flitet turqisht dhe në vitet e socializmit ka qenë një nga ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik, por që kur u shkëputën, Azerbajxhani ishte i pari shtet që e bëri këtë. Vendasit janë me tipare turqish, vijnë pak ezmerë dhe të shkurtër. Duket që nuk janë shumë të afruar e as shumë miqësorë me turistët (është e çuditshme kjo), kurse me njëri-tjetrin po. Por nëse ju kërkoni atyre diçka, bëhen copë të ta sjellin apo të ta gjejnë. Janë tolerantë dhe nuk i respektojnë shumë rregullat: p.sh. kur hipa në taksi në vendin e parë, po kërkoja të vendosja rripin e sigurimit, por taksisti ma bëri me shenjë, “lëre se s’ka gjë”. Por një fjalë goje të mos lidhesh me rrip sigurimi në Azerbajxhan! Shoferët janë më keq se në Shqipëri e Turqi bashkë! Nga çasti në çast të kërcënohet seriozisht jeta sepse makinat hyjnë e dalin nëpër korsi pa rregulla dhe boritë shpërthejnë si të çmendura edhe natën.
- Çfarë ka më të pëlqyer Azerbajxhani?
Ushqimi është ndër gjërat më të mira atje. Kuzhinë turke e rafinuar, dhe e përpunuar, kombinimet dhe pjatat janë thjesht të mrekullueshme. Ndër më populloret është “shah plov“- pilafi i shahut me mish dhe fruta të thara, mbuluar me petë byreku: ç’të hash!
Por edhe qebapët, japrakët (dollmatë) me gjethe rrushi apo me lakër, ose mish në flakë me perime. Ndër restorantet më ‘famoze’ në Baku është “Kurban Said”, që mban emrin e autorit të famshëm azerbajxhanas, që ka shkruar ndër të tjerat edhe “Ali e Nino” statuja e të cilëve ngrihet madhështore pranë Detit të Vdekur në Batum të Gjeorgjisë.
- Çfarë të shohësh në Baku?
-Duhet eksploruar qyteti i vjetër që quhet “Icherisheher”.
-Të vizitohen kullat mbresëlënëse “Flame Towers”- kullat e flakës. Natën ato duken fiks si flakë, nga ndriçimet me drita të kuqe e të verdha në portokall. Madje “flaka” duket edhe nga avioni kur ngjitesh në lartësi.
-Një shëtitje me këmbë përgjatë detit në Bulevardin e gjatë 6 km të Bakusë.
-Medoemos duhet vizituar qendra Heydar Aliyev Center, me ato format e saj si të një piste skish tërësisht e bardhë; aty është edhe “shenja” e qytetit “I❤️Baku”.
-I bukur është “Pallati i Shirvanshahëve”, me atë historinë që ka pasuar 44 dinasti shahësh, çfarë sekretesh e bëmash nuk kanë parë e dëgjuar ato mure! Saqë të ngjan sikur ende i dëgjon pëshpërimat…
-Duket sikur të kthen në një epokë tjetër muzeumi në formë tapetesh i Azerbajxhanit, që është pikërisht “Muzeumi i tapeteve”!
-Për parkun “Highland Park” mund të mendosh që është lart në kodër dhe do të duhet shumë mund që të ngjitesh, por në fakt kjo bëhet për vetëm 6 minuta me teleferikun modern dhe panoramik që të çon në Highland Park!
-S’ka rrugë më të bukur, më vibrante, të zhurmshme, të gëzuar e të ndriçuar se “Nizami Street”! E dashurova menjëherë!
-Një copëz e vogël e Italisë me kanale, gondola e urëza “psherëtimash”? Pikërisht quhet Little Venice dhe është në Baku!…
Baku është një qytet që të zhgënjen!
Zhgënjim që ndodh për mirë, dhe kjo është pjesa që të pëlqen, befasia që ndjen sapo vë këmbën në aeroport, që edhe ky nga ana e vet është… (s’po e them që të nxis kureshtjen)…
Pra, si përmbyllje, Baku nuk duhet lënë pa u vizituar!
Fund, nëntor 2024




VITI I RI në DUBAI/ 5 Ditë 999€/PERSON!




Si të largoni mendimet negative nga mendja?







3 receta të veçanta për Krishtlindje!




