KreuStil Jetese

Facts/ Prekja blue e Tory Burch!

Facts/ Prekja blue e Tory Burch!

Për stilisten Tory Burch është krijuar përshtypja se asaj ju dhurua gjithçka në një pjatë argjendi, por ajo pohon se e filloi biznesin e saj, pa ndjekur kurrë një shkollë mode dhe biznesi. Pas 20 vitesh nga krijimi i etiketës me emrin e saj, stilistja amerikane Tory Burch ka sot një markë globale me veshje dhe aksesorë. “Kishte shumë njerëz që dyshonin për atë që po bëja në fillim. 20 vjet më pas, kam bindjen, se edhe nëse do të kisha humbur 10 milionë dollarët që investova, sot nuk do të kisha asnjë peng”, thotë Burch.

Harper's Bazaar

Puna e parë e Burch ishte asistente në revistën “Harper's Bazaar”. Pasi kuptoi filozofinë e modës, punoi si drejtore reklamash për Ralph Lauren, Vera Wang dhe Loewe. “Kjo përvojë më dhuroi aftësitë si të drejtoj dhe ndërtoj një kompani”. Kundër këshillave të miqve, ajo hapi dyqanin e parë në bulevardin “257 Elizabeth”.

Balerinat Reva

Burch rrjedh nga një familje e pasur hebreje, e cila zotëronte një fermë 250-vjeçare. E ëma Reva Robinson, ish-aktore i ushqeu dashurinë për modën. Ajo kujton kur udhëtonin të dyja në Evropë për të blerë veshje Louis Vuitton. Tory krijoi këpucët balerina Reva një dedikim ndaj së ëmës, duke shitur mbi 5 milionë palë.

Made in Amerika

Filozofia e Burch ishte të krijonte një markë që reflektonte stilin amerikan. Duke u frymëzuar nga jeta tipike vendase, kryesisht nga sporti dhe stili bohemian, ajo krijoi veshje dhe aksesorë që joshën blerës VIP. Një ditë pasi Oprah Winfrey prezantoi apartamentet e dekoruar nga Burch, faqja e stilistes pati 8 milionë klikime.

Përgjithmonë blu

Nëse keni vënë re, pjesa më e madhe e krijimeve të stilistes kanë thuajse të gjitha tonalitetet e blusë, sepse ajo është ngjyra e saj preferuar. “Më pëlqen bluja në të gjitha nuancat dhe teksturat e saj. Unë dua të vesh gjithnjë ngjyrën e detit”. Tory Burch zotëron mbi 250 butikë, me një vlerë financiare e cila arrin 1 miliard dollarë.

Filantropia

Stilistja është renditur vazhdimisht në listën e 100 grave më të fuqishme në botë. Në nëntor 2020, ajo u shfaq në kopertinën e revistës “Forbes”, se si kompania e saj mbështeti gjatë pandemisë COVID-19 duke krijuar maska. Ajo mbështet gruan në sipërmarrje me financime për arsimimin, si dhe hapjen e bizneseve të tyre.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF