Nga Eda Bano
Jugu i Italisë mund të konsiderohet pa frikë “perla” e saj! Për ne është bekim që këtë perlë e kemi kaq afër. Gjeografikisht, por edhe si mentalitet. Sa herë gjendem në Jug, më duket sikur jam në një copëz Shqipërie! Burrat nënë hije, rrinë e kuvendojnë… gratë mbledhur pranë njëra-tjetrës zënë e punojnë… Shpesh ngatërrohem, zhvendosem në pavetëdije, dhe ndihem sikur jam në vendin tim! Më bëhet e afërt gjuha, shijet e ushqimeve, sjellja e njerëzve! Kurse bukuritë e atyre vendeve të lejnë pa fjalë!
Për të shkuar në destinacionin e radhës, Alberobello, e nisim që nga Bari udhëtimin, aq më tepër që tani me linjat e shpeshta me avion, ai duket sikur është afruar edhe më shumë! Pranë Barit ndodhet një copëz mrekullie: Polignano a Mare! Një atraksion turistik më shumë sesa një plazh! Ai s’duhet lënë pa vizituar kurrë kur je aq pranë, në Bari, vetëm 36 km larg tij! Pamja që shpaloset kur arrin në gjirin e vogël të Polignano a Mare, është nga ato që s’të shqiten nga mendja. Shpesh bëhen aktivitete të ndryshme; hedhje nga lartësitë, koncerte live, gara noti, nganjëherë edhe të gjitha në një ditë. Dashurohesh krejtësisht me këtë vend deri në përjetësi. Por më vonë, pasi ke bërë edhe 30 km të tjera, kalon në një natyrë të ngjashme me natyrën tipike shqiptare, me pemë ullinjsh, fshatra të gjelbëruara dhe shtëpi të thjeshta e të bukura rrethuar me gardhe guri e në fund, befasohesh kur të shpaloset përpara si një vizatim plot fantazi, Alberobello!
Kur për herë të parë jam përballur me këtë bukuri, u mahnita, u shastisa, u mrekullova, u hutova, shkurt: mbeta pa fjalë! Në çastet e mia vetmitare në dashurinë sublime për pamjen që m’u shfaq, mendova: këtu do të dëshiroja të jetoja, sikur edhe këmbën zvarrë ta tërhiqja, sikur të më duhej të bëja punët më të rënda, sikur dhe të mbetesha pa një çati, por çati të më bëheshin yjet dhe qielli!
Të themi të drejtën, Alberobello është një destinacion sa i çuditshëm, aq edhe piktoresk, i cili po bëhet një element i rëndësishëm përditë e më shumë në itineraret e udhëtimit të agjencive turistike, si dhe udhëtarëve që lëvizin vetëm. Qyteti i vogël është bërë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për lagjet e tij të pazakonta, ato shtëpitë karakteristike të zonës me çati në formë konike të bardha. Ky është një destinacion interesant për një ditë udhëtimi, por nëse zgjedh të rrish më shumë ditë, idealja do të ishte të qëndrohej në një të tillë, për ta shijuar tamam.
Në fakt “trulli” është një banesë e vogël, ndërtuar me mure prej guri dhe me çati karakteristike në formë konike. Historia e Alberobellos, dikur një qytet vetëm me trulle, është tipike italiane: dizajni i tij ishte i tillë për të hequr taksat dhe për të mashtruar autoritetet. Pra të konsideruara si vendqëndrime të punëtorëve që mblidhnin ullinj, që pastronin pyjet apo kultivonin tokat, por jo si shtëpi banimi, dhe i gjithë Alberobello nuk duhej të konsiderohej si një qytet. Për më tepër, njerëzit që jetonin në trulle, mund t’i çmontonin ato kur ishte e nevojshme. Çatitë e tyre shpesh zbukuroheshin me simbole të pikturuara dhe fantastike, që supozohet të kenë rëndësi fetare ose supersticioze.
????????Çfarë të vizitojmë në Alberobello?
- Vizita përreth trulleve është gjëja e parë, më unike dhe fantastike që mund të bësh atje. Pjesët më piktoreske dhe më të çuditshme të Alberobellos, janë dy zonat e përbëra pothuajse tërësisht nga trullet; mbi një mijë copë të tilla!
- Pjesa më turistike është Rione Monti, një lagje me rrugica të ngushta, gjarpërushe dhe shumë piktoreske, rrethuar nga shitësit e shumtë që të ofrojnë suvenire pa fund. Por ka edhe plot bare e lokale tipike vendase që ofrojnë përveç likereve dhe lloje verërash, edhe shumëllojshmëri makaronash e biskotash.
- Pjesa tjetër e Alberobellos është kryesisht me ndërtesa 'normale', por me trulle që shfaqen në mënyrë piktoreske aty-këtu. Është edhe “Trullo Sovrano”, e cila është një “shtëpi-trull” në një formë të madhe, e mobiluar me pajisje të periudhës së kaluar. Ajo formon një kontrast me shtëpitë më të vogla dhe ndryshe nga të tjerat, është një ndërtesë dykatëshe. Ka tabela informacioni me përkthime të çuditshme në anglisht. Një “vrimë spiune” pranë derës, i lejonte banorët të inspektonin vizitorët e tyre dhe -sipas të thënave- në raste ekstreme, të qëllonin çdo të ardhur me qëllim të keq.
- Sheshi kryesor i qytetit, “Piazza del Popolo”, është një hapësirë e këndshme e hapur me tavolina dhe stola për të parë “botën” që kalon. Pikërisht përtej kësaj, pranë Kishës së Santa Lucia, ka një “belvedere” që ofron pamje mbi trullet, dhe njeriu mund të kënaqet duke soditur me orë të tëra.
- Aty pranë është muzeu i qytetit, “Museo del Territorio”. Ky muze ka një strukturë mjaft përrallore, prej gati dhjetë trullesh të kombinuara. Ai përmban ekspozita dhe disa dhoma të rikrijuara në stilin e periudhës, që japin ide se si jetonin banorët e tyre.
- Në Alberobello ekziston edhe një muze i vajit të ullirit, një muze i verës dhe një muze i artizanatit…
????????Përreth Alberobellos!
Alberobello është një vend i vogël, shumë i qetë dhe pas një dite të paharrueshme duke u endur mes trulleve, je gati për më shumë eksplorime. Kjo është shumë më e lehtë nëse kemi një makinë, por është gjithashtu e mundur të bëhen një ose dy udhëtime të shkëlqyera ditore me transport publik. Trenat e vegjël FSE marrin vetëm disa minuta për të arritur, p.sh., në Martina Franca, një qytet aq i këndshëm, aq i bardhë e aq i bukur, krejtësisht në stilin barok. Rrugës, do apo s’do, do të ndalosh në Locorotondo, i cili ka një qendër të vogël historike në një kodër me pamje të mrekullueshme mbi “Valle d'Itria”, një peizazh i gjelbër e i mahnitshëm. Një tjetër ndalesë është Castellana Grotte, e cila është e famshme për shpellat e saj të gjera dhe të thella.
Një nga udhëtimet ditore më interesante, edhe pse vërtet bëhet praktike vetëm nëse merret me qira një makinë, është Ostuni, një nga qytetet më të njohura të zonës në majë të kodrave.
Në fund, si qershia mbi tortë, është e mrekullueshmja Tropea, që nga pamja dhe natyra, bukuria dhe peizazhi që të ofron, është ndër më uniket, por që në rast se zgjedh të shkosh, duhen medoemos më shumë ditë pushimi dhe një makinë në dispozicion, pasi gjendet rreth 365 km larg Alberobellos! Por që ia vlen ta kesh në librin e kujtimeve të jetës!
--








Spanja shpallet kampione e Europës!



Ndahet nga jeta aktorja Shelley Duvall!








5 shpikjet e reja në fushën e teknologjisë
