KreuStil Jetese

Valët e të nxehtit , ja si ta përballoni pa harxhuar para!

Në një kohë kur shumë familje përballen me sfida financiare, ndezja e kondicionerit gjatë gjithë ditës nuk është zgjidhje e përballueshme për të gjithë. Për fat të mirë, ka mënyra të thjeshta dhe efektive për t’u freskuar pa shpenzuar shumë. Ja 5 këshilla praktike që mund t’ju ndihmojnë:

Ftohni “pikat e pulsit”

Zonat si kyçet e duarve, të këmbëve, pas gjunjëve dhe qafa janë pika kyçe për të ndjerë lehtësim të shpejtë. Vendosni aty një peshqir të lagur me ujë të ftohtë ose një qese me 2-3 kube akulli për një efekt freskues të menjëhershëm.

Pini shumë ujë

Hidratimi është çelësi për të përballuar vapën. Pini ujë të bollshëm gjatë ditës – i thjeshtë, me limon ose fruta, por shmangni pijet me gaz, kafenë dhe alkoolin, të cilat e dehidratojnë trupin.

Dush i vakët, jo i ftohtë

Edhe pse një dush i ftohtë duket zgjidhje ideale, ai mund ta bëjë trupin të reagojë duke rritur temperaturën e brendshme. Zgjidhni një dush të vakët që e ndihmon trupin të ruajë balancën termike.

Rroba të lehta dhe pambuku

Përdorni veshje të lehta, nga materiale natyrale si pambuku, dhe në ngjyra të çelëta. Rrobat e ngushta apo sintetike vetëm e përkeqësojnë ndjesinë e nxehtësisë.

Shmangni daljet e panevojshme

Dilni vetëm kur është e domosdoshme dhe gjithmonë të pajisur me ujë, krem kundër diellit dhe kapelë. Të qëndruarit në hije është shpesh mënyra më e mirë për të ruajtur energjinë dhe shëndetin.