KreuStil Jetese

Ermira Mehmeti, një zë kumbues nga Maqedonia

Përtej portretit të ëmbël, Ermira Mehmeti, deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, është personazhi më i guximshëm shqiptar i ditëve të vështira pas ngjarjeve në Kumanovë. Për realitetin aktual, situatën politike, reagimin e ashpër ndaj qeverisjes Gruevski, gjendjen e qytetarëve, shpresën e shqiptarëve, Mehmeti rrëfehet në BORDO.

A keni të njëjtin entuziazëm si në fillim kur u bëtë pjesë e politikës?

Absolutisht po!  E kam thënë dhe po e përsëris: po qe se karriera ime është çmimi që duhet paguar që të largohet Gruevski, jam e gatshme që ta bëj. Jam shumë e vetëdijshme për çmimin e lartë që mund të paguaj, por unë nuk jam në politikë që të bëj oportunistin dhe konformistin. Unë jam në politikë sepse besoj se gjenerata e re ka përgjegjësi të flasë hapur për problemet dhe të përpiqet sinqerisht që t’i zgjidhë ato.

Nga përvoja juaj personale, është e lehtë të jesh një grua politikane në Maqedoni?

Nuk është aspak e lehtë dhe as e thjeshtë. Bërrylat, intrigat, fyerjet dhe thashethemet janë kërcënimi juaj permanent. Megjithatë, unë e kam tejkaluar atë fazë të etablimit politik. Besoj se percepsioni për mua në skenën politike në Maqedoni tanimë është i pranuar natyrshëm dhe si një domosdoshmëri.

Në Shqipëri ka gjithmonë një diskutim të madh për përfshirjen e gruas në politikë. Po në Maqedoni si është situata?

Ky diskutim duhet të jetë i pranishëm, i vazhdueshëm, përmbajtësor dhe me propozime konstruktive. Prezenca e gruas në politikë është një input pozitiv, një pasurim dhe një pacifizim i gjuhës dhe sjelljes apo kulturës tonë politike. Gruaja nuk është e korruptueshme, nuk është konformiste, dhe as nuk bën kompromis me vlerat në të cilat beson.

Sapo keni përfunduar studimet e Doktoraturës, keni një jetë parlamentare, e mandej jeni një nënë me kohë të plotë. Është një ngarkesë e madhe. Kush është krahu juaj i djathtë? Kush ju ndihmon në përditshmërinë tuaj?

Është mamaja ime dhe vëllezërit e mi. Pa ata nuk do t’ia kisha dalë fare.

Është e lehtë të balancosh raportin e nënës me atë të politikanes?

Jo, nuk është e lehtë aspak. Politika nuk ka një orar fiks pune, nuk ka ditë të caktuara puna, nuk ka periudha të paracaktuara për pushime vjetore. Shpeshherë gjendeni në situata urgjente të cilat ua prishin gjithë axhendën ditore apo javore. Mbledhjet partiake shpeshherë zgjasin me orë të tëra dhe ato janë forume të dominuara nga burra, që janë tradicionalë dhe që pinë shumë duhan. Është një ambient ku femra duhet të përfshihet, por gjetja e balancës së hollë është një mjeshtëri më vete. Dita juaj në politikë gati si rregull dominohet nga frustracione të ndryshme, nga histori dramatike të votuesve tuaj për të cilët duhet gjetur ndonjë zgjidhje, nga përplasje brenda-partiake apo përplasje me rivalët politike. Pas gjithë kësaj duhet shkuar në shtëpi dhe duhet qenë një nënë që fal ngrohtësi, që dhuron buzëqeshje, që rrëfen përralla apo vizaton bashkë me fëmijët. Është një mjeshtri dhe një përkushtim i jashtëzakonshëm.

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF