KreuStil Jetese

Bota përmes syve dhe rimelit

Asnjë grua e ditëve moderne nuk do të përjetonte emocionin e përkëdheljes së qerpikëve nga furça e rimelit, nëse egjiptianët e lashtë nuk do ta zbulonin atë 3400 vjet më parë, më shumë si një instrument religjioz sesa estetik. Ata besonin se sytë ishin dritarja e shpirtit, ndaj shmangnin kontaktin me energjinë negative që përcillnin shpirtrat e këqij. Zgjatja e qerpikëve dhe lyerja me ngjyrën e zezë nuk lejonte që të trazoheshin jetët e tyre. Por, e besoni apo jo, edhe pse kanë kaluar mijëra vite, rimeli vijon të prodhohet thuajse me të njëjtët përbërës bazë me të cilët ‘e gatuanin’ egjiptianët, ku nuk mungojnë vajrat me pigment. ‘Magjistarët’ përzienin brirët e bluar të fildishit me jashtëqitje krokodili dhe mjaltë për të krijuar rimelin, i cili zbukuronte vetullat dhe qerpikët e Kleopatrës, dhjetëra dëshmi të së cilës konfirmojnë se ajo është gruaja e parë që ka përdorur këtë produkt kozmetik për praktikat fetare. Qysh atëherë, rimeli kishte si qëllim të rriste volumin e qerpikëve, i errësonte dhe i bënte të dukeshin më të trashë, duke arritur deri në ditët e sotme, në gjithfarë formash, por gjithnjë duke ruajtur funksionin e tij parësor.

Edhe pse Egjipti shënjon momentin e parë të përdorimit të rimelit, ai ishte një aksesor dedikuar faraonëve, derisa u shfaq masivisht në vitet 1830, në epokën Viktoriane, kur gratë e aplikonin mbi qerpikë për t’u zbukuruar. Në këtë periudhë, ato eksperimentonin me rimel dhe vijëzues për të krijuar efekte të errëta, duke përdorur hirin dhe bojë. Ai që njihet zyrtarisht si babai i rimelit, prej nga ka marrë edhe emrin, është Eugen Rimmel, i cili prodhoi kutinë e parë kozmetike në 1842 duke përdorur bitum dhe qymyr. Përpos ‘revolucionit’ që solli në kozmetikë, Rimmel nuk arriti dot të dhurojë atë që gratë donin: jetëgjatësinë e produkteve estetike, derisa shpiku formulën e parë që i rezistonte ujit: sekreti ishte futja në këtë formulë e terpentinës. Por, polemikat nisën teksa u vu re se kimikati shkaktonte alergji, edhe pse ishte i papërshkrueshëm nga uji dhe kishte aromë të padurueshme. Sprova e parë drejt rimelit modern erdhi në 1912, kur T.L. Williams krijoi një flakon për qerpikët të cilin ia dedikoi motrës Maybel, duke startuar më vonë linjën kozmetike ‘Maybelline’. E para që krijoi furçën që ruan ende formën e rimelit modern ishte Helena Rubinstein, më 1917, e cila solli në Paris një produkt që do të joshte gratë e klasës së lartë. Pasi u takua me Elizabeth Arden, ato krijuan një nga produktet që tronditi tregun kozmetik, madje më vonë u bë edhe shkak për ndarjen e biznesit mes dy grave. Marka më e famshme ishte ‘Maybelline’, e cila ‘joshi’ për të promovuar produktet e saj përmes fotografive dhe imazheve filmike duke sugjeruar aktore të njohura si Greta Garbo, Sonja Henie apo Marlene Dietrich. Në 1960, ikona e modës, Twiggy reklamoi të parin rimel në formë tubi. Po atë vit, Revlon shpiku formulën e parë me ngjyrë, duke sugjeruar ngjyrën jargavan dhe të gjelbër. Deri në fund të viteve ’90 ky aksesor nisi të kishte një ndikim të madh, duke u bërë pjesë e sugjerimeve të modës, aq sa thuajse çdo markë veshjesh ka një produkt të vetin rimel. Mes tyre ‘Chanel’, ‘Gucci’, ‘Dolce & Gabbana’ apo ‘Dior’, të frymëzuara nga shitjet masive, kanë produktet të cilat ecin paralelisht me tendencat e tjera. Në këtë mënyrë, markat multi-miliardere e kanë kuptuar se edhe nga qerpikët mund të fitosh vërtet shumë para.

 

Nga se përbëhet rimeli?

Para se të krijohej rimeli i ditëve të sotme, në vitet 1940, në Amerikë, një grua e njohur me emrin znj. Brown u verbua për shkak të përbërësve kimikë të këtij produktit kozmetik. Kjo është edhe arsyeja që përpos rritjes së kërkesës, ende baza e krijimit të rimelit është pigment, vajra dhe dyllë. Pigmenti është bojë e zezë, duke evituar qymyrin dhe derivatet e tij, pasi kanë përbërës që dëmtojnë lëkurën. Por, me kalimin e viteve, rimeli nuk është vetëm i zi; atë mund ta shohësh në disa ngjyra dhe forma. Nga forma e quajtur ‘kek’ apo ‘bukë’, sot ai përdoret më shumë në locion të lëngshëm dhe ka rezistencë ndaj ujit. Vaji i lirit, susamit dhe eukalipt janë risi të viteve të fundit, duke e bërë atë të jetë pa efekte anësore. Pa harruar dyllin, i cili mbetet përbërësi që asnjëherë nuk është hequr nga formula bazë e rimelit, duke garantuar jetëgjatësi dhe formë të qerpikëve. Vitet e fundit, shkenca sugjeron rimelë me përbërës fije artificiale mikro-fibrash, që ndihmojnë në fortësinë dhe një kurbë të bukur të qerpikëve.

 

Psikologji

Rimeli dhe Neotenia

Studimet tregojnë se përdorimi i rimelit mund të na ndihmojë të stimulojmë neoteninë, një sindrom i cili lidhet me atë që quhet pamje rinore, pra, edhe me bukurinë e grave. Në kultura të ndryshme, karakteristikat tipike të fëmijëve me faqe të buta dhe fytyrë të rrumbullakët, lëkurë të butë dhe sy të mëdhenj, janë tiparet ideale të fytyrës së një gruaje. Realisht, rimeli tërheq qerpikët nga kapakët e syve, duke i theksuar dhe duke krijuar një iluzion që i bën ata të duken më të mëdhenj dhe më të hapur.

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF