KreuArt

Vjosa Berisha: Art, kryefafjala e PriFest

PriFest ka nisur edicionin e tij të 8-të dhe interesi i qytetarëve ka qenë shumë i madh. Vit pas viti ky festival është rritur në cilësi dhe përmbajtje, duke tejkaluar pritshmëritë.
Drejtoresha e PriFest, Vjosa Berisha tregon për Bordo.al vlerat më të mëdha të këtij festivali,pritshmëritë që në nisje dhe njohja e PriFest në rang ndërkombëtar.
Nga Sidorela Lepri
Vjosa, në prag të edicionit të 8-të, cilat janë preokupimet tuaja?
Më shumë sesa me preokupimet do kisha dashur të nisja me pritshmëritë. Duke qenë se ky edicion shënon dhe rikthim e PriFest në shtëpinë e tij, përgjegjësia është akoma më e madhe dhe emocionet gjithashtu. Duam t’i sjellim Prishtinës e rajonit një festival të cilësisë më të mirë, një mundësi për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit midis profesionistëve të filmit dhe njëkohësisht të sjellim kinemanë e mirë në ekranet dhe jetën e qytetit.
I keni arritur pritshmëritë që kishit në nisje të këtij edicioni?
Në fakt, sot që jemi në prag të çeljes së festivalit, mund të them që pritshmëritë janë tejkaluar. Interesi i qytetarëve ka qenë shumë i madh, dhe kjo u vërejt nga shitja në kohë rekord e kartelës javore All-In e cila mundëson hyrjen tek të gjithë filmat përgjatë gjithë festivalit në vlerën e vetëm 10 euro. Kjo ishte dhe një mënyrë për të testuar pjesëmarrjen, dhe rezultati mund të them që na befasoi.
Pritshmëritë janë tejkaluar edhe për shkak të dashamirësisë dhe pjesëmarrjes së profesionistëve botëror të fushës së filmit. Aktorë, regjisorë, producentë e shumë të tjerë jo thjesht kanë pranuar të vijnë në PriFest, por kanë qenë entuziastë për t’u njohur me festivalin dhe qytetin. Ndaj, sot mund të themi që përgjatë javës së 22-29 Prill, në Prishtinë do ndodhen të gjithë emrat që duhen të njihni nëse doni të jeni pjesë e botës së kinemasë, dhe të gjithë filmat të cilët përgjatë vitit të fundit kanë marrë vlerësimet më të mira si nga kritikët, ashtu dhe nga audienca e gjerë.
Festivali nis dhe mbaron, por çfarë ka ngelur në fakt në historikun e PriFest. Cila është vlera më e madhe që ju do të cilësonit?
PriFest ka një moto: “Friendship. Forever.”
Në tetë vite, ne kemi sjellë në festival mysafirë, dhe në fund kemi përcjellë miq. Emra si Vanessa Redgrave, Gideon Burkhard, Franco Nero, Danis Tanovic apo Stephen Frears nuk kanë sjellë thjesht eksperiencën e tyre si artistë, por janë kthyer në miq besnik të festivalit të cilët na vizitojnë edicion pas edicioni.
Tjetër “gjurmë” në historikun e PriFest janë bashkëpunimet, prodhimet, filmat të cilën gjenezën e kanë patur pikërisht tek ne. Regjisorë, skenaristë, producentë të cilët janë njohur gjatë PriFest, kanë diskutuar projektet e tyre dhe mandej kanë krijuar marrëdhëniet e bashkëpunimit që ne sot i njohim si filma cilësorë. Shumë prej filmave tashmë të njohur e të vlerësuar kanë marrë mbështetjen e parë në Best Pitch Competition, shumë prej tyre kanë njohur kolegë e bashkëpunëtorë gjatë PriForum e të tjerë janë kthyer në miq pse jo, edhe gjatë eventeve e festive (qesh).
Sa ka mundur PriFest të njihet ndërkombëtarisht?
Mendoj që njohja e PriFest në rang ndërkombëtar ka qenë sfida më e guximshme që kemi realizuar. Nuk është aspak e lehtë të kesh një stendë të filmit kosovar në Festivale të përmasave të mëdha si ai në Kanë, por, duke vizituar festivalet më të mira, duke i ftuar vetë personalitetet e filmit në festivalin tonë, e duke u treguar me vepra, jo thjesht me fjalë, se ç’sjell PriFest si festival i filmit, mendoj kanë mundësuar këtë.
Çfarë do t’i duhej PriFest që të merrte vëmendjen e kineastëve dhe producentëve të mëdhenj në botë?
Puna jonë mund të them që është gjithmonë në përmirësim. Në çdo edicion në vijmë me hapësira të reja, me formula të reja dhe celula të reja. PriFest është gjithmonë në rritje, zhvillim, dhe si i tillë, gjithmonë e më shumë është duke marrë vëmendjen e emrave më të njohur të filmit. Që nga aktorët, producentët e distributorët, e deri tek mediat më të njohura që të kinemasë si Screen International, etj.
Këtë vit keni ndërmarrë disa politika sociale, duke afruar pensionistët dhe studentët në Festival. Përtej këtij mesazhi çfarë do të synonit të mbetej nga ky edicion?
Politika e cila përfshin falas në festival të gjithë studentët është tashmë traditë në PriFest, dhe është mënyra më e mirë për të edukuar një gjeneratë të re: përmes kinemasë. Pensionistët marrin pjesë falas për herë të parë, dhe mendoj që është diçka shumë e mirë e cila do kthehet në një element të përhershëm, duke qenë se bëhet fjalë për një kategori sociale e cila ka kohë të lirë dhe interes për artin. Nga ky edicion do doja që të mbetej kujtimi i një festivali i cili gjithmonë ka sjellë dhe do sjellë art, cilësi dhe bashkëpunim.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF