KreuArt

Florian Agalliu: Teatri pasion, televizioni jetesë

Së fundmi, ai ka interpreruar rolin e pronarit të një fasonerie, ku punojmë vetëm gra dhe qepin rroba që mbajnë stampën “Made in Albania”, por edhe të tjera sipas interesit.
Në një intervistë për Bordo.al, Florian Agalliu tregon më shumë rreth rolit të tij dhe dramës “Made in Albania. Më tej, aktori tregon për planet e tij të ardhshme në televizion dhe teatër.
Nga Sidorela Lepri
“Made in Albania” është shfaqja më e fundit e vendosur në Teatrin Eksperimental. Për të gjithë ata që ende nuk e kanë parë shfaqjen, na tregoni pak për rolin tuaj?
Une jam në rolin e pronarit të një fasonerie ku punojnë vetëm gra, dhe qepin rroba që mbajnë stampën “Made in Albania”, por edhe të tjera sipas interesit. Është mishërimi i një pronari të cilin e gjejmë shpesh në Shqipëri. Është aq i mirë sa në ditën e festës, atë të karnevaleve i dha grave një orë pushim.
Si është të intrepretosh në një dramë që i dedikohet dhe i mëshon një pjese të realitetit shqiptar që shpeshherë lihet në harresë?
Për mua është hera e parë që punoj me një pjesë shqiptare. Këtë nuk e them vetëm unë. Stefan Çapaliku ka shkruar një vepër ku përshkruan një tablo të vërtetë shqiptare. Një vepër e shkëlqyer! Një puzzle shqiptar ku me linjat paralele të grave kuptojmë hallet e secilës dhe tablon e përgjithshme të varfërisë deri kur bashkohen në qëllimin e tyre të vetëm të ruajnë vendin e punës pas vdekjes së pronarit të fasonerisë.
Gjithashtu është hera e parë që punoj me prof.Altin Bashën. E kam pasur pedagog në Akademinë e Arteve dhe fati më solli të punoja sërish në një projekt kaq të madh, siç është Made in Albania.
Cili është mesazhi i kësaj shfaqjeje?
Shfaqja ka një sërë mesazhesh në secilën copëz të saj. Flet me simbole, flet me lëvizjen, me kostumet, flet dhe me muzikën. Ejani e shiheni, secili ka për të gjetur veten. Qofshin ata edhe gazetarët.
Dhe meqënëse jemi tek teatri, në petkun e cilit personazh që keni interpretuar deri më tani jeni ndjerë më shumë vetvetja?
Kerkoj të gjej një përgjigje patjetër tek kjo pyetje. Megjithatë po ju them që të gjithë janë vetja në secilin rol. Në Big Brother do ishte më e vlefshme si pyetje. Aty njerëzit dalin nga vetja, ndërsa ne e kemi nën kontroll, kemi fatin që kemi dramaturgët.
Po ai që ju ka pëlqyer më pak?
Përpiqem që në ato pak role që kam bërë t’i bëj me qejf. Zakonisht kam pranuar role që më kanë pëlqyer. Dhe nuk di të them kush më ka pëlqyer më pak. Do të hidhja punën time poshtë.
Nëse do të hiqnim paralele mes televizionit dhe teatrit, ku ndihet më komod Floriani?
Televizioni dhe teatri janë të ndryshme shumë, por unë kam zgjedhur t’i bëj të dyja. Si për pasion, po ashtu dhe për përfitim ekonomik. Por nëse do të zgjidhja njërin, sigurisht që ai mbetet teatri. I vetmi vend ku e kupton pas 90 minutash se çfarë ke bërë dhe pëe çfarë je lodhur.
Përveçse angazhimeve në teatër, ju drejtoni edhe programin “Blind Taste”. Sa e gjeni veten në këtë program?
Në fillim nuk e gjeja veten fare, por tani gjërat kanë ndryshuar. Formatin e kam sjellë më afër vetes dhe nuk mbetet një emision ku gatuajnë 4 veta.
Blind Taste është një format ndërkombëtar, patentë e cila është blerë nga Tring digital dhe ju siguroj që do zgjas gjatë, për aq kohë sa punohet me pasion dhe dashuri nga të gjithê. Shumë shpejt fillojmë regjistrimet për sezonin e tretë.
Dhe së fundmi, planet e ardhshme artistike?
Nisur dhe nga parashikimi i yjeve, ky ka për të qenë viti im. Planet janë të mëdha dhe njeri sapo nisi, Kam filluar xhirimet e një dokumentari për Shqipërinë turistike, monumentet e kulturës, traditat, ushqimin dhe gjithçka na përfaqëson ne. Një aventurë nëpër Shqipëri që nuk ju ka rastisur ta shihni. Ndërsa në tetor me prisni në një projekt të madh.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF