Një përrallë e vërtetë, kështu është cilësuar nga të ftuarit dasma e ditës së djeshme, 23 korrik 2016, ku lidhën kurorë dy personazhe jo fort të njohur, por pasardhës të dy figurave të tilla. Etida topi, vajza e vogël e ish-Presidentit të vendit, Bamir Topi dhe Ilir Bregasi, djali i biznesmenit Luan Bregasi lidhën kurorë në dasmën e madhe, ku morën pjesë plot 400 të ftuar.
Një dasmë, të cilës çifti i kishte vënë identitetin në çdo detaj, E & I, që nga dekori në bar, tek pjatat dhe vera e etiketuar me emrat e tyre.
Celebrimi u drejtua nga kryetari i bashkisë së kryqytetit, Erion Veliaj. Çdo moment i mbrëmjes u memorizua në fotografitë e profesionistes Anjeza Dyrmishi, e cila realizoi edhe setin e çiftit. Emri i Anjezës duket se është i parapëlqyeri jo vetëm i shumë personazheve dhe njerëzve me shije, por edhe i familjes Bregasi dhe Topi.
Pak vite më parë ajo ishte e zgjedhura e motrës së dhëndrit, Besjana Bregasi, e cila u martua me Shpat Hoxhën në një dasmë, po aq të komentuar të kohës.
E mandej, Nada Topi dhe bashkëshorti i saj Gurten Papuli zgjodhën po Dyrmishin në dasmën e tyre.
Disa nga fotot që sjellim në Bordo ekskluzive për lexuesit tanë janë momente të dasmës së mbrëmshme, që vijoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Geraldina Sposa kishte kuruar ambientin, teksa Lili Ismaili zbukuroi eleganten Etidë.
Në mbrëmje kënduan Sidrit Bejleri dhe Juliana Pasha.
Një detaj fort i dashur për nusen ishin lulet, ku orkideja e bardhë ishte e zgjedhura e saj.
