Do të ishte viti i largët 1974, kur banorët e qytetit të Varosha-s do të largoheshin nga frika e një masakre. Ishte koha kur ushtria qipriote greke dhe ajo turke u ndeshën në luftime të ashpra në rrugët e Famagusta-s, në Qipro. Varosha, qyteti fantazmë, ndodhet në kufijtë e pjesës greke dhe turke të ishullit, pa asnjë njeri në brendësi, me ndërtesa të braktisura, e rrethuar me tela me gjemba.
Varosha është një e katërta e braktisur e qytetit të Famagusta-s në Qipro. Përpara pushtimit turk të Qipros në vitin 1974, Varosha ishte zona më moderne dhe më turistike e qytetit. Banorët e saj u larguan gjatë pushtimit, kur ra në duart e turqve. Ka mbetur e braktisur dhe që atëherë është nën zotimin e forcave të armatosura turke. Varosha vijon të jetë e pabanuar e në të, hyrja është e ndaluar.
Emri Varosha e ka rrënjën në fjalën turke “varosh” që do të thotë “periferi”. Fjala ka hyrë në gjuhën turke nga gjuhët ballkanike kur pjesa më e madhe e gadishullit të Ballkanit ishte pjesë e perandorisë osmane. Në serbo-kroatisht kjo fjalë do të thotë qytet. Po kështu edhe në hungarisht.
Në vitin 1970, Famagusta ishte destinacioni i parë turistik në Qipro. Për të përballuar numrin e madh të turistëve, shumë ndërtesa të larta dhe hotele u ndërtuan. Në kulmin e saj, Varosha nuk ishte vetëm pjesa më e preferuar e turistëve në Qipro, por në mes të viteve 1970-1974, ishte një nga destinacionet turistike më të preferuara të emrave të njohur botërorë si Elizabeth Taylor, Richard Burton, Raquel Welch dhe Brigitte Bardot.
Para pushtimit turk të Qipros, Varosha kishte një popullsi prej 39 mijë banorësh. Ajo që shkretoi këtë qytet ishte junta e kolonelëve që ndodhi në Greqi në vitin 1974. Me pushtimin turk, më 20 korrik 1974, ushtria qipriote greke tërhoqi forcat e saj nga Larnaca. Ushtria turke avancoi deri në “Vijën e gjelbër”, që është kufiri i sotëm mes dy komuniteteve. Vetëm disa orë para se ushtritë qipriote greke dhe turke u takuan në luftime ushtarake në rrugët e Famagusta-s, e gjithë popullsia u largua duke iu frikësuar një masakre të mundshme. Shume prej tyre ikën në jug në Paralimni, Dherynia dhe Larnaca. Paralimni që nga ajo kohë u bë kryeqyteti i krahinës së Famagusta-s.
Kur ushtria turke mori kontrollin e zonës gjatë pushtimit, e rrethuan dhe nuk lejuan të hyjë askush përveç ushtrisë turke dhe personelit të Kombeve të Bashkuara. Njerëzit që jetonin në Varosha shpresonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre kur situata u qetësua, por zona vazhdonte të ishte e rrethuar nga ushtria turke. Pas mbylljes, megjithë negociatat që janë bërë kohë pas kohe për rihapje, Varosha mbetet e mbyllur. Varosha është i vetmi vend në botë që nuk banohet nga asnjë njeri. Qyteti i vetmuar është i rrethuar dhe pa banorë që pas ndërhyrjes së Turqisë në Qipro në vitin 1974. Që prej atëherë qyteti është i mbyllur dhe banorët e dikurshëm nuk mund të kthehen më aty.
Ndërkohë që Varosha është ende e pabanuar, ndërtesat vazhdojnë të bien e të kthehen në rrënoja. Natyra dhe koha kanë lënë gjurmë në këtë zonë, bimët kanë lëshuar rrënjë në trotuare dhe mure ndërsa breshkat e ujit kanë krijuar fole në plazhet e shkretuara.



















