Qyteti i dritave së fundi ka qenë në vëmendjen ndërkombëtare pas grabitjes me armë që ju bë Kim Kardashian-it. Por Parisi ka pasur një periudhë të vështirë edhe para se të ndodhte kjo ngjarje. Që nga “Charlie Hebdo” e deri te sulmet terroriste në Bataclan vitin e kaluar, kryeqyteti i Francës ka qenë qyteti i prekur nga kërcënimet terroriste, nga krimi e për pasojë, nga një numër turistësh gjithnjë në zvogëlim.
“Çfarë ndodhi [me Kardashian] është vërtet për të ardhur keq dhe përgjegjësit duhet të ndëshkohen rëndë.” -tha për TV5 Monde, ministri francez i punëve të jashtme Jean-Marc Ayrault. “Ne jemi plotësisht të mobilizuar për të garantuar sigurinë e popullit francez, ashtu sikur edhe e të gjithë atyre që vizitojnë Francën, veçanërisht turistët.”
Edhe pse Parisi apo vetë Franca nuk kanë profilin e një rrezikshmërie të lartë krahasuar me disa shtete të tjera në botë, si Afganistani apo Siria, megjithatë incidentet dhe sulmet e kohëve të fundit kanë bërë që turistët të pyesin se çfarë duhet për të garantuar një udhëtim të sigurtë.
Jim Krampen, bashkëthemelues i kompanisë në mbrojtje të udhëtarëve “Seven corners”, këshillon këdo që udhëton për në Paris, “Njihi ato që të rrethojnë, mos publiko vendndodhje të veçanta ose sende me vlera të mëdha në rrjetet sociale. Sigurohu që miqtë e ngushtë dhe familjarët të dinë programin tuaj.” Kjo është një ide e mirë kudo të shkoni, por veçanërisht nëse është një zonë që ju bën të ndiheni të rrezikuar.
Parisi ka një histori si një nga qytetet më të bukura dhe më të vizituara në botë, por mes terrorizmit dhe krimit, a ka ndryshuar kjo gjë? Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se vizitorët e qytetit kanë rënë me 6.4 përqind në gjysmën e parë të vitit 2016, dhe shumë turistë nga Azia dhe Amerika po qëndrojë larg Parisit. Një pjesë e kësaj mund të jetë edhe problemi me reklamën që i bëhet vendit. “Ne jemi të shqetësuar për imazhin e Parisit.” –thotë Nathalie Kosciusko-Morizet, kreu i opozitës konservatore në Paris. “Kjo ngjarje do të jetë në të gjitha kanalet televizive të lajmeve. Imagjinoni reklamën negative.”
Të kesh Parisin në listën e itinerareve është tërësisht në dorën tuaj. “Padyshim që atmosfera ka ndryshuar, si në shumë vende të botës, por edukimi është miku juaj më i mirë.” – thotë eksperti i sigurisë dhe mbrojtjes Bill Stanton. Bëni kërkimet tuaja dhe arsyetoni. Kërkoni shumë dhe konsideroni çfarë është e mira për ju, gjë e cila mund të jetë e ndryshme nga ajo e miqve apo e fqinjëve tuaj. “Mund të kem qenë mirë gjatë udhëtimit tim atje, ndërkohë një tjetër mund të jetë ndjerë keq në varësi të rrethanave. Por unë nuk jam një ekspert që do të këshillonte ‘rrini në shtëpi’.” – thotë Stanton. “Krimi në mënyrë të pashmamgshme ndodh kudo në botë.”



















