KreuCelebrity

INTERVISTË/ ‘Ditari i hapur’ i Sara Kolamit

Nga Sara Gurabardhi

Sara Kolami është një nga emrat më të rinj të ekranit. E njohur jo vetëm për intervistat e realizuara me personazhe të ndryshëm, por edhe për stilin e saj krejt të veçantë, moderatorja rrëfen ekskluzivisht për bordo.al, arsyet e përfshirjes në televizion, raportet me makeup-in dhe aksesorët, planet për të ardhmen e shumëçka tjetër, të cilat do t’i gjeni në intervistën e mëposhtme.

 Si lindi dëshira për të qenë pjesë e televizionit?

Televizioni u bë pjesë e jetës sime papritur. Nuk e kisha menduar veten si personazh televiziv. Më shumë më zgjodhi, sesa e zgjodha unë. Në fillim nisi si një sfidë, e cila u shndërrua në një nga eksperiencat më të bukura edhe më të vështira njëkohësisht! Më pëlqen shumë, pasi më jep shansin të jem në kontakt gjithmonë me njerëz të ndryshëm, dhe çdo ditë mësoj diçka të re nga ta.

Cili është personazhi yt i preferuar televiziv? 

Ellen DeGeneres ka qenë dhe vazhdon të jetë një idhull, për shumë arsye. Një inspirim për të qenë gjithmonë vetvetja dhe të pranosh të tjerët ashtu siç janë. Një personazh plot pozitivitet dhe mirësi. Nëse ka diçka që dua për veten dhe për njerëzit që kam pranë, është pikërisht kjo.

E sheh veten të përfshirë plotësisht në fushën e kinematografisë, pas disa kohësh?

Me shumë dëshirë! Deri tani jam marrë me disa projekte dhe realisht ndjehem shumë krenare për veten time, që ia dola mbanë me sukses! Një eksperiencë shumë e veçantë, e cila më ndihmoi të kuptoj që kam shumë gjëra brenda vetes për të dhënë. Që në moshë të vogël jam angazhuar, me suportin e prinderve, në projekte nga më të ndryshmet, në fushën e artit. Tani, pas kaq vitesh, kuptoj benefitet e këtyre aktiviteteve. Arti më ndihmon të kuptoj dhe të zhvilloj veten time.

Cila është zgjedhja jote, mbi femrën më të bukur të të gjitha kohërave?

Besoj se çdo femër është e bukur në mënyrën e saj. Vetëbesimi dhe karakteri janë ato që të bëjnë të bukur, jo tiparet “perfekte”, mbi të cilat shoqëria çdo vit krijon kritere të ndryshme. Çdo femër është e bukur, e veçantë; çdo femër ka mundësi të shkëlqejë, nëse realisht ajo do!

Sa e dhënë je pas makeup-it?

Dikur realisht kam qenë shumë e dhënë pas makeup-it. Ishte një fazë që zgjati disa vite, ato vitet te veshtira të adoleshencës, në të cilat je në kerkimin të stilit “ideal” për ty. Çfarë kuptova nga i gjithë ky kërkim është që të paktën për mua nuk ekziston një stil ideal, pasi gjithmonë do ngelem në kërkim të diçkaje ndryshe. Make up-i ështe argëtim për mua, një formë sesi unë zgjedh të ndryshoj mënyrën, se si shfaqem tek njerëzit.

E konsideron veten vajzë ekstravagante?

Unë jo, por të tjerët po. Çfarë është ekstravagantja, në fund të fundit? Diçka që lëviz pak jashtë kornizave, të cilat njerëzit i kanë caktuar për dy-tre arsye. Mua më pëlqen shumë të eksperimentoj me veshjet e mia, me makeup-in dhe me flokët, pasi është diçka që më argëton pa fund dhe më furnizon me energji pozitive!

Kur del për shopping, ke tendencën të shohësh për veshje, këpucë apo bijoux?

Bijoux, unë vdes për bijoux, por më mërziten shumë shpejtë dhe perfundoj duke i falur. Bijoux-të dhe aksesorët janë ato, të cilat mund të ndryshojnë një veshje totalisht! Pasi jam në lëvizje gjatë gjithë kohës, shpesh më ka rastisur të vishem në mëngjes edhe të njejtën veshje, ta mbaj edhe për një darkë të rëndësishme, duke ndryshuar bizhuteritë (dhe këpucët, sigurisht).

Sa të rregullt e mban çantën?

E pastër po, por jo e rregullt. Detyrohem të dal herët në mëngjes nga shtëpia dhe zakonisht kthehem në darkë, prandaj më duhet të jem e furnizuar mirë, me gjërat kryesore, që do më duhen gjatë ditës.

A ka diçka, që nuk mungon kurrë në çantën tënde? Nëse po, pse?

Karikuesin! Gjatë 24 orëve flas shumë shpesh me mamin, e nëse rastis telefoni i fikur, ajo bëhet shumë merak (si një mama tipike)!

Taka apo të sheshta?

Të sheshta!! Nuk ka më rehat! E kalova fazën, kur vdisja të vishja vetëm taka. Tani, më e rëndësishme për mua është të jem sa më komode.

Sa shpesh e frekuenton jetën e natës?

Jeta e natës nuk është për mua! Ndodh që të dal me shoqërinë ose për punë, por më shumë preferoj kafen e mengjesit, duke lexuar një libër të mirë, ose të kaloj disa orë me shoqëri. Nuk e duroj rrëmujën e jetës së natës, ashtu siç më bezdis shumë era e cigares, kur kthehem në shtëpi. E kam vdekje!

Do të dilje në takim me një fans?

Fansat e mi janë më shumë vajza ose femra, që pëlqejnë stilin tim, e më përgëzojnë për humorin që kam. Po, me ato do dilja me shumë kënaqësi!

Nëse do të mund të kthehej koha pas, në cilën periudhë do të jetoje? Pse?

Kam një ndjesi të theksuar, që jam lindur në epokën e gabuar. Jam shumë romantike dhe  idealiste, si natyrë. Ideale për mua do të ishte të jetoja kohët, kur dominonin fustanet e gjata dhe të fryra, ku romanticizmi ishte në kulmin e vetë; ajo çfare unë do ta quaja “La Belle Époque”. Në atë periudhë, kultura dhe mënyra e të jetuarit kanë qenë ndryshe, e më e rëndësishmja: shihje natyrë kudo; lule, gjelbërim dhe pemë plot.

Nëse do të ishe regjisore, cili do të ishte filmi i jetës tënde?

Jam adhuruese shumë e madhe e filmave (sidomos i horrorit), por nëse do të veçoja një për të përfaqësuar jetën time, do të ishte ose “The Notebook”, ose “The Vow” . E di , ‘hopeless romantic’, por është aq bukur të kesh pranë dikë, i cili të dashuron ty ashtu siç je dhe bën të pamundurën, për të të patur pranë.

Ku e sheh veten pas 10 vitesh?

Nuk e di. Realisht, nuk e di. Më tmerron kjo lloj pyetje, pasi planet nuk më dalin. Dua më shumë të fokusohem në çfarë përjetoj tani. Çdo sekond që kalon ne ndryshojmë, bashkë me jetën përreth. Por, një gjë është e sigurt: do kem diçka timen , dua sado pak të lë shenjën time në këte botë, dhe do e bëj! Dua të ndihmoj me çdo mënyrë të mundshme, njerëzit në nevojë; dua sado pak ta bëj këtë botë pak më të bukur , pak më të lumtur…

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF