KreuFashion

Si të realizoni një grim të thjeshtë në pak minuta?

Mëngjesi është i shenjtë për shumicën prej nesh, ashtu sikurse orët e para të nisjes së ditës, jo gjithmonë preferohen të kalohen në punë, shkollë apo çdo angazhim tjetër i kësaj natyre. Kështu, kemi tendencën të vonohemj, të nxitohemi, pasi ndodh të ndërrojmë tre herë veshjen, ashtu sikurse, si për dreq, dushi zgjat më shumë se zakonisht, edhe pse jemi munduar ta shkurtojmë sa më shumë. Pengesa të këtij lloji janë të shpeshta mëngjeseve parapërgatitore për angazhimin e ditës. Për të gjithë ju, që grimin e përfshini medoemos gjatë një rutine të tillë, ne ju paraqesim disa hapa të thjeshtë, që do t’ju marrin shumë pak minuta nga koha juaj.
1. Aplikoni kremin ton në lëkurë, e nëse e ndjeni se keni dhe 30 sekonda ekstra, vendosni pak pudër tek mollëzat, për një pamje më të freskët.
2. Zgjidhni pluhurin e bardhë për pjesën e syve, në mënyrë që të ndriçoni fytyrën e sapo zgjuar nga gjumi.
3. Lyeni pjesën e jashtme të syrit me një laps të zi, pasi kjo do t’ju shkurtojë më shumë kohë e do t’ju japi natyralitet në pamje të jashtme.
4. Vendosni pak rimel tek qerpikët, pa i rënduar ato së tepërmi.
5. Përdorni shkëlqyes apo buzëkuq të lehtë për buzët, duke përzgjedhur ngjyra jo fort të ndezura.
6. Mos harroni vetullat! Mjafton të kaloni furçën përkatëse tek secila, për të rregulluar formën dhe qimet e çrregullta.
Dhe, nisuni për në punë tani! Nëse i realizoni të gjithë këto hapa, në më pak se pesë minuta do të jeni plotësisht gati për ta nisur ditën me freski në pamjen tuaj.