KreuKuzhine

Pjata e mbrëmjes: qofte salmoni (lehtë, në pak minuta!)

Kjo nuk është hera e parë që sugjerojmë salmonin për vaktin e darkës, e jo më kot. Për aq kohë sa mbart vlera të larta ushqyese dhe klasifikohet tek produktet e lehta, mbrëmja është vërtetë ideale për një pjatë me përmbajtje salmoni. Është zgjedhja e përmbrëmshme e Victoria Beckham, e cila problemet e zhdukura të lëkurës ia dedikon vetëm këtij produkti të detit.

Sonte, ne ju prezantojmë me një recetë fare të thjeshtë, të cilën do ta shtoni në listën e pjatave të preferuara. Qoftet me salmon tingëllojnë shumë herë më të vështira nga ç’janë në të vërtetë, e pasi të lexoni recetën e mëposhtme do ta kuptoni pse:

Përbërësit
500g salmon
2 hudhra të njoma, të prera shumë imtësisht
1/4 filxhan pluhur buke të thërmuar
2 lugë gjelle mustard
1 lugë gjelle vaj ulliri
1 hudhër e njomë, e prerë hollë

Përgatitja
Në një mikser ushqimi, hidhni masën e kërkuar të salmonit, hudhrat e njoma, mustardën, 1/2 lugë çaji kripë, dhe 1/4 e së njejtës masë piper. Përziejini mirë, deri sa të mos mbeten copa të pacoptuara. Pas kësaj, shtoni edhe pluhurin e bukës, përziejini dhe formoni tetë qofte të vogla. Zgjidhni një tigan që nuk ngjit dhe ngroheni në temperaturë mesatare. Gatuajini qoftet nga të dyja anët, rreth dy minuta secilën anë. Nëse dëshironi, mund t’i shtoni një salcë të kripur sipas dëshirës. Preferohet të serviret me pak sallatë në anë. Ju bëftë mirë!!!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF