Sot ju sjellim recetën e një pjatë shoqëruese fantastike, për këto ditë të nxehta vere, me përbërës kryesor domaten, produkt të ushqyeshëm të stinës! Ushqehuni lehtë e me shije!
Për të përgatitur këtë recetë të thjeshtë e të shijshme ju duhet një kohë e shkurtër në dispozicion. Ja përbërësit: 6 domate me madhësi mesatare, 125g djathë parmixhano, 125g pana e freskët, 50g qumësht, 3 kokrra vezë, 20g gjalpë i shkrirë i ftohtë, borzilok, kripë e piper.
Përgatitja: Prini kokrrat e domates në mes në mënyrë horizontale, hapim pak dhe pastrojmë mesin prej farave. Pasi i kemi pastruar, i përmbysim që të kullojnë mbi një letër kuzhine. Përbërësit e tjerë i hedhim në një enë të gjithë së bashku, i përziejmë dhe i shtojmë në mikser sa për t’i zbutur pak. Pasi mbushja është bërë një masë homogjene mbushim me to mesin e domateve dhe i vendosim në furrë në nxehtësinë 150 gradë për rreth 40 minuta.
I nxjerrim nga furra dhe i vendosim në pjatën ku do serviren. Mund t’i vendosni sipër gjethe borziloku sipas dëshirës, ose t’i shtoni më tepër kripë e piper sipas shijes suaj. Tregoni kujdes me kripën! Ju bëftë mirë!