Recetë nga Fundim Gjepali për numrin e fundit të revistës Bordo
Pjatën që do ju prezantoj sot kam vendosur ta quaj “Në të gjitha gjuhët e botës”, për vetë faktin se përbërësi kryesor i saj është Gjuha.
Nuk është një pjatë e vështirë. Përbërësit gjenden lehtë, mjafton të ndiqni me korrektësi hapat që do ju paraqes dhe në fund, produkti përfundimtar do ju lërë pa fjalë.
Kjo pjatë mund të gatuhet shumë mirë në kushtet e shtëpisë, ndaj të gjithë ju që doni ta gatuani Gjuhën në një formë ndryshe, ju ftoj të ndiqni dhe zbatoni këtë recetë, si më poshtë…
Përbërësit që nevojiten janë:
Gjuhë viçi 800gr
400 gr karotë
3 degë Selino
1 Qepë
20 gr Xhinxher
1 Mollë
20 gr mjedër e thatë
1 gjethe selino
Vaj ulliri
Kripë
Piper
Përgatitja:
-Hapi i parë që duhet të bëjmë për realizimin e kësaj pjate është të vendosim gjuhën e viçit të ziejë në një enë me ujë të bollshëm, bashkë me pak piper kokërr, 1 karotë, 1 degë selino, gjysmë qepe dhe dafinë.
Zierja mund të zgjasë 2 deri në 3 orë, varet nga gjuha.
Pastaj i lajmë dhe qërojmë karotat, selinon, qepën dhe xhinxherin.
Në një enë tjetër hedhim pak vaj, skuqim qepën dhe pastaj i shtojmë perimet.
Pasi t’i kemi kavardisur bashkë, i shtojmë ujë. Pasi perimet të jenë zbutur mirë, i kalojmë në mikser të gjitha bashke dhe i shtojmë pak vaj.
Kremin që kemi përftuar e kalojmë në një sitë.
Pastaj e marinojmë me pak uthull dhe kripë. Kështu kremin e kemi gati.
Gjuhën e zier e pastrojmë nga lëkura e sajë. E presim në kube të barabartë, e kalojmë në tigan që ta marrë një thekrim nga të gjitha anët.
Tani jemi gati të fillojmë me përgatitjen e pjatës:
Formojmë një vijë me kremin e karotës dhe sipër i vendosim gjuhën e thekrruar.
Pastaj mollë jeshile të prera hollë , të cilat i marinojmë me pak vaj limon dhe qepë të kuqe gjithashtu të marinuara me vaj limon dhe pak uthull.
Në fund i hedhim në formë pluhuri mjedrën e thatë dhe pjata është gati si në foto.
Ju bëftë mirë!