E ku ka më mirë se një pije e përgatitur vetë në shtëpi? Baret mbeten gjithmonë një zgjidhje e shpejtë, ashtu sikursë mund të funksionojnë edhe si pikë takimi me miqttë. Por, nga ana tjetër, jo gjithmonë na e ka ënda të rendim pas ambienteve të lokaleve. Preferojmë shtëpinë për një pasdite të qetë, ndërsa mbrëmjen e kalojmë duke ecur apo duke u endur rrugëve të qytetit. Siç të gjithë e dimë, të qendruarit në shtëpi të bën të mendosh vetëm për ushqimin. Sa herë kemi shkuar pambarimisht tek dera e frigoriferit, edhe pse e dimë shumë mirë që nuk ndodhet asgjë e shijshme brenda (sepse i kemi ngrënë të gjitha!). Në mënyrë që t’i bëni pasditet sa më argëtuese, ju sugjerojmë që të blini një shishe Kahlua, nëse ende nuk e keni një të tillë në shtëpi. Një pije e ëmbël me bazë të tillë do t’ju rikthejë në periudhën e plazhit, ashtu sikursë do t’ju bëjë të kujtoni dhe një herë detin e ditët e nxehta të kaluara nën çadër…Mjafton të ndiqni recetën e mëposhtme:
Përbërësit
2 lugë (akulloreje) me akullore vanilje
3 biskota me çokollatë
30 ml Kahlua
½ filxhan me akull të shtypur
Përgatitja nuk është aspak e vështirë. Mjafton t’i shtoni të gjithë përbërsit sipas rendit në një miksues pijesh, dhe t’i përzieni deri sa ta shikoni që masa ka marrë një trajtë shumë të lëngshme. Shllaku apo kremi i qumështit janë favorite për në sipërfaqje të pijes, por kjo mbetet një zgjedhje sipas dëshirës. Pasdite të këndshme!