Në sezonin aktual, por edhe në vijim, çizmet ndër të tjera shndërrohen në domosdoshmëri. Si rrallë herë, bota e modës këtë vit ofron mundësinë e larmishmërisë së modeleve, ku çdokush e gjen veten fare lehtësisht. Nga stili sipër gjurit, e deri tek ato me gjatësi tek kyçi i këmbës, këtë herë investimi për çizmet ia vlen çdo qindarkë! Tendencat që pamë nga pasarelat varionin në larmishmëri ngjyrash, formash e materialesh. Sfilatat na sollën në qendër të vëmendjes çizmet e mëndafshta të Dries Van Noten, ngjyrat tejet të theksuara të Versace, e nuk mund të harrojmë as modelin sipër gjurit e ngjyrë ari të Balenciaga.
Sa për këto të fundit, mund të thuhet me sigiri që janë kryefjala e stilit dhe mbizotërueset e listës ‘duhet medoemos t’i kem në garderobë’, pasi ky sezon vjen si kurrë më parë. Nëse nuk ndiheni fort komfort me një model të tillë, fundet e gjata deri tek gjuri apo xhinset e ngushta janë idealet për kombinim, duke ju falur kështu një pamje seksi, por edhe elegante. Një tjetër lajm i mirë është se nuk do t’ju duhet të shkundni kuletën, pasi firma si Mango apo Next sjellin çmime të lira, për çizme nga më të ndryshmet, ku ndër to mund të gjendet dhe stili ideal për të gjithë ata që adhurojnë ngjyrën e argjendtë. Nga ana tjetër, nëse thjesht jeni e fiksuar pas çizmeve, një inspirim i mirë mund të jetë dhe Kendall Jenner, e cila preferon më së shumti modelin e shkurtër të tyre. Topshop ofron opsionin më ideal të quajtur Mickey Cone Heel Boots, i cili do t’ju përshtatet me xhinse për një pamje tipike rock n’ roll, ashtu sikurse do të ishin kombinimi perfekt me një fustan të natyrës bohemiane për fundjavë. Me pak fjalë, këtë sezon çdokush mund ta gjejë veten lehtësisht tek koleksioni i çizmeve të dimrit, e në galeri do të gjeni 25 përzgjedhjet më të mira, që do t’ju orientojnë si duhet drejt blerjeve të reja. Kështu, e presim dimrin me padurim!