Sonte në mbrëmje do të luhet ndeshja “Shqipëri-Itali”në stadiumin “Loro Boriçi”, në kuadër të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Botëror të Futbollit për vitin 2018.
Trajneri Panucci kërkon fitoren e kuqezinjve pas humbjes me Spanjën dhe ka vendosur që të rikthejë rreshtimin me katër në mbrojtje, me rikthimin e Mërgim Mavrajt në krah të Arlind Ajetit. Që nga minuta e parë do të luajë kapiteni Ansi Agolli, Armando Sadiku, Ergys Kaçe e Eros Grezda. “Mendoj se skuadra mund të bëjë shumë më tepër. Lojtarët nuk duhet të kënaqen me pak, por të kërkojnë më shumë”, ka thënë ai.
Trajneri i Italisë Gian Piero Ventura e quan këtë ndeshje si një moment historik e i vjen mirë që është bërë pjesë e tij. Ja deklarata e tij: “Është një moment historik, sepse është ndeshja e parë që Italia luan në Shqipëri në kualifikueset zyrtare. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij momenti. Ne jemi të kualifikuar, Shqipëria nuk ka më objektiva në grup dhe uroj që kjo të jetë një festë e madhe. Uroj të jetë festa e sportit, festa e futbollit dhe uroj që të jetë një ndeshje e pëlqyeshme për të gjithë të pranishmit.” Ai shton: “Uroj që të mos kemi ulje të përqendrimit, edhe sepse rezultati na shërben më tepër neve sesa Shqipërisë. Me një fitore do të kishim garancinë të ishim në vazon e parë në play-off. Do të jetë një ndeshje festive, por që për ne ka shumë vlerë.”
Edhe kapiteni i njohur i të kaltërve Buffon ka folur mbi ndeshjen e sotme në një konferencë shtypi, ai ka treguar se kthehet në Shqipëri që prej vitit 1995 kur ishte pjesë e ekipit të Parmës e ka lujatur kundër ekipit të Teutës. Buffon ka rrëfyer se e gjen Shqipërinë me ndryshime pozitive jo vetëm në futboll, por edhe në fusha të tjera.
Ekipi i Italisë ka mbërritur dje dhe janë marrë masa të rrepta për zhvillimin e një ndeshjeje të sigurtë futbolli sonte në “Loro Boriçi”. Suksese ekipit të kuqezinjve sonte!



















