Familja mbretërore nuk i shpëton kurrë vëmendjes së publikut e tahmë që gjithmonë e më shumë po përflitet për dasmën e Princ Harry-t, sytë janë kthyer plotësisht nga çifti më i ri rojal. Me siguri po prisni imazhe ekskluzive apo video të shkurtra nga ceremonia që do të bëjë bujë të pazakontë, por ja që duhet të përgatiteni për krejt të kundërtën! Harry e çmon së tepërmi privatësinë, sidomos kur vjën puna tek finalizimi me martesë i dashurisë së tij të shumëpërfolur me Markle. Dhe ky, do të jetë një faktor plotësisht ndikues në eventin e ardhshëm.
Edhe pse çifti nuk kanë shpallur ende një fejesë zyrtare, mesa duket çdo gjë pritet të vijë më shpejtë nga ç’mund të imagjinohet. Nga ana tjetër, është bërë e ditur që tani që Princ Harry nuk do vëmendjen që mori William dhe Kate, disa vite më parë. Kujtojmë se për martesën e këtyre të fundit, ceremonia u transmetua në televizione kudo nëpër botë. Sipas zërave, çifti rojal do të martohet në kishën St George’s Chapel në kështjellën Windsor. Arsyeja? Është ndër të vetmit vende ku mund të privohet lehtësisht prania mediatike apo i çfarëdolloj faktori të jashtëm, që nuk i përket njerëzve të besuar të oborrit mbretëror. E vetmja gjë që përflitet të tejkalojë pragun e privatësisë është realizimi i një seti të vogël fotografik në Kensington Palace, me vetëm një fotograf dhe gazetar të pranishëm. Në po të njejtën ditë, do të bëjnë edhe një intervistë të shkurtër, që do të transmetohet në të gjithë botën.