Nuk janë të pakta rastet kur personazhet e njohur vishen njëlloj me njëri- tjetrin. Rastësi ose jo, me siguri që tek secila një veshje duket ndryshe. Një paraqitje thuajse të njëjtë ka patur aktorja e njohur Blake Lively me Zonjën e parë Melania Trump.
Ngjyra gri dhe kostumet me prerje mashkullore janë mjaft në modë në këtë sezon! Duhet t’a keni parë të paktën tek pesë blogere që ndiqni në Instagram trendin e xhaketave sportive gri me kuadrate apo jo?
Aktorja kishte zgjedhur një kostum gri me xhaketë e pantallona të Ralph Lauren. Ky kostum është i koleksionit të sezonit Pranverë 2018. Një muaj më parë, të njëjtin kostum dopiopetë e veshi dhe Zonja e Parë Melania Trump gjatë fjalimit të bashkëshortit të saj në Kombet e Bashkuara.
Lively të jepte përshtypjen e një look-u vërtetë mashkullor, me këmishë e kollare, çizme lëkure dhe një çantë të Michael Kors. Ndërsa Melania kishte zgjedhur ta mbante xhaketën të zbërthyer, duke treguar një këmishë të zezë poshtë saj.
Si mendoni, kujt i shkon më shumë kostumi i Ralph Lauren?



















