KreuStil Jetese

Rutina e bukurisë së duarve tuaja kundër të ftohtit

Me ftohjen e motit dhe ardhjen e dimrit duart janë të parat që e vuajnë ndryshimin e klimës: na ngurtësohen, thahen e na plasaritet lëkura e tyre. Po kështu na ndodh edhe me thonjtë, nga të ftohtët kanë tendencën të na dobësohen e thyhen.

Për të shmangur të gjitha këto ju sugjerojmë të ndiqni rutinën e bukurisë së duarve perfekte e të shëndetshme edhe në këtë mot të ftohtë.

Pastrimi

Hapi i parë është pastrimi. Në dimër duhet t’i kushtoni një kujdes të veçantë zgjedhjes së locionit me të cilin lani duart. Ju sugjerojmë të zgjidhni larës me përmbajtje të glicerinës dhe vitaminave E dhe F pasi ato shërbejnë si mbrojtës të lehtë të lëkurës.

Gjithashtu ju këshillojmë që të mos i lani duart shumë shpesh apo me ujë të nxehtë pasi fërkimi i vazhdueshëm i lëkurës me temperatura të larta shkakton tharjen e saj.

Një skrab

Për pastrimin e kurrizit të duarve ju këshillojmë një skrab të lehtë një herë në javë ose edhe një herë në dy javë. Skrabi bën të mundur largimin e qelizave të vdekura dhe aktivizon qarkullimin e mirë të gjakut.

Nëse keni lëkurë tepër të ndjeshme është mirë që ta shmangni këtë proces. Skrabi këshillohet përpara se të vendosni kremin ose maskën, në mëngjes ose përpara se të flini. Në qoftë se jeni përdoruese të maskave aplikojeni skrabin në mbrëmje.

Thonjtë

Me të zbutur duart kalojeni vëmendjen tek thonjtë. Mund të bëni trajtime me vaj ulliri dhe limon për majat e gishtave në mëngjes, ose me vaj recini për në mbrëmje. Përpara gjumit ju sugjerojmë edhe gjalpin e karitesë, mbajeni pak mbi thonj e shpëlajeni me ujë të ngrohtë.

Kremërat dhe maskat për duar

Për në dimër ju duhet të përdorni kremëra me veti ushqyese, hidratuese, rigjeneruese dhe mbrojtëse. Ideale kundër të ftohtit janë ato me gjalpë kakaoje, vaj kokosi, jojoba ose ato me përmbajtje të aloe vera-s dhe kamomilit.

Për ditën ju këshillojmë kremërat mbrojtës e qetësues, ndërsa për në mbëmje ato më rigjenerues e të fortë. Maskat janë një zgjedhje perfekte për t’u aplikuar përpara gjumit pasi veprojnë gjatë gjithë natës duke shëruar e ushqyer në mënyrë të thellë lëkurën.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF