Folëm pak më parë për Victoria Beckham, e cila ka sjellë stilin ‘oversize’ për sezonin Vjeshtë-Dimër 2017/2018. Duke qenë se sa herë flasim për modën, sytë kthehen menjëherë nga ish-anëtarja e grupit ‘Spice Girls’, nuk kishte si të mos vërehej as ky moment në historinë e tendencave për këtë periudhë. Por, si gjithmonë, nuk mund të lëmë pas dore as vajzat shqiptare, të cilat herë pas herë surprizojnë me zgjedhjet lidhur me veshjet.
Edhe pse tashmë nuk është çudi, Jonida Maliqi është edhe këtë herë në një hap me modën. Me ardhjen e vjeshtës, këngëtarja ka përqafuar pikërisht stilin e Beckham, për të sjellë një frymë të re rrugëve të kryeqytetit. Fundet e gjera e me pala duket se kanë qenë të preferuarat e Jonidës për këtë tetor, ndërsa nuk kanë munguar as paraqitjet me fustane ‘oversize’. Bluzat apo trikot e së njejtës prerje kanë qenë kombinimi ideal për Maliqin, ndërsa fotot e saj na kujtojnë paraqitjet e Beckham.
Jo më larg se këtë të shtunë, Jonida u shfaq në ekran në programin “Shiko Kush Luan”, me një fund e bluzë të këtij modeli. Nuk është hera e parë që Jonida rrëmben vëmendjen me tendencat më të fundit, duke lënë gjithmonë hapësirë për paralelizëm mes paraqitjeve të saj dhe personazheve botërorë më ‘in’ të momentit. Po ju, do ta provonit rehatinë dhe stilin në një masë të vetme?