Dreka. Eh, dreka. Kur vjen puna tek e diel, zgjedhja vështirësohet edhe më shumë. Të gjithë mbledhur rreth tryezës, me shpresën dhe dëshirën për t’u kënaqur me një vakt si duhet ditën përmbyllëse të javës.
Duke qenë se koha është e çmuar dhe me siguri ju që do të merrni rolin e kuzhinierit sot doni të shplodheni po aq shumë sa të tjerët, ne po ju themi: vetëm 35 minuta. Po, kaq mjafton për përgatitjen e pjatës speciale me bazë pulën, që do t’ju ofrojë shijen dhe sasinë e merituar. Mjaftojnë pak përbërës për të shtruar një tryeze siç e dëshironi ju vetë, por edhe të afërmit tuaj.
Ju nevojiten:
4 lugë gjelle parmesan
5 lugë gjelle majonezë
1 kokërr limon
Hudhër
2 lugë çaji erëza (si psh. rozmarinë)
50 g pluhur buke
Gjoks pule
Patate
Çfarë duhet të bëni?
Fillimisht, përzieni në një enë parmesanin, hudhrën e grirë, majonezën, limonin e shtrydhur dhe erëzat. Përziejini mirë deri sa të formohet një masë më formë paste. Merrni copat e gjoksit së pulës dhe lyjini fillimisht me atë çka përgatitët. Më pas, sigurohuni që me një lugë të shpërhapni në të gjithë copën pluhurin e bukës.
Vendosini në tavë dhe shtoni edhe disa copa patatesh të prera trashë në anë. Piqini në furrë për 30 minuta. Do të shijoni përzierjen e të gjithë përbërësve në një pjatë të vetme. Ju bëftë mirë!