Duket se edhe trendet e modës përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë globin, ndonëse edhe me të njëtën shpejtësi zhduken. Pak ditë më parë u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve BRIT Awards 2018-të, eventi më i rëndësishëm i muzikës angleze. Përpos rëndësisë së madhe që kanë çmimet, si një vlerësim për artistët për punën e tyre të një viti, jo pak vëmendje tërheq parakalimi i VIP-ave në tapetin e kuq.
Si rrallë herë, në këtë ceremoni ndodheshin dy shqiptare, të cilat pavarësisht se nuk shkojnë dhe aq mirë me njëra-tjetrën, duket se mendojnë njësoj. Ato u shfaqën me një stil fustani shumë të ngjashëm, në pamje të parë duket si një thes, diçka e çrregull në formë, fustane të cilat i ndau në dy pjesë kritikët: ata që i vlerësuan pozitivisht dhe negativisht.
Megjithatë, parakalimi në tapetin e kuq, shpesh herë, për të mos thënë gjithnjë shërben edhe si një vitrinë ku na prezantohen trendet më të fundit, të cilat më pas përqafohen me shpejtësi edhe nga masa.
Pasi e pamë tek Dua Lipa, Rita Ora, së fundmi Kim Kardashian… mos u çudisni kur të shihni bukuroshet shqiptare me këtë fustan, të gjithë po e veshin!