Rita Ora njihet nga të gjithë si këngëtarja me origjinë nga Kosova, por me sa duket origjina e vjetër e saj është nga një tjetër vend. Ndonëse ju duket e çuditshme, familja e Rita Orës rrjedh nga qyteti i Shkodrës, për më saktë nga Kazazët e Shkodrës.
Këtë fakt e bëri të ditur biografi i gjyshit të këngëtares së njohur, Kopi Kyçyku, i cili tregoi në një intervistë për Shqiptarja.com se familja Sahatçiu u larguan nga Shkodra rreth 100 vite më parë.
“Familja Sahatçiu nuk është nga Kosova me origjinë, zanafilla e tyre është nga Shkodra. Familja Sahatçiu e ka origjinën nga familja Kazazi e Shkodrës. Më shumë se 100 vjet më parë ata shkuan përtej Drinit dhe mbetën andej, por ruanin komunikimin. Kur u ndanë tokat e Shqipërisë më 1913-n, ata mbetën përfundimisht jashtë kufirit. Pra, këta i shkëputën lidhjet me Shkodrën dhe më pas shkuan edhe në Prishtinë, ushtruan zejen e orëndreqësit që në atë kohë përdorej turqisht Sahatçiu. Tani Rita Ora e ka bërë mbiemrin në shqip, një fjalë që dhe ne, dhe shumica e botës e kemi marrë nga latinët. Shumë të dhëna i plotësova nga intervista e të shoqes Besës, e cila u bëri një përshkrim me shumë modesti, por me shumë vërtetësi.”, ka treguar Kyçyku.



















