“Rikthimi i Dallëndysheve”, risolli për publikun tonë balerinët më të mirë shqiptar. Puna dhe sakrifica, i solli atyre një sukses të padiskutuar në skenat e mëdha botërore, ndërsa rikthimi në vendin ku nisën historinë e tyre të baletit, i bëri ata akoma dhe më të dashur për shqiptarët. E mes tyre është edhe Bledi Bejleri, vëllai i moderatores Ilda Bejleri.
Në një intervistë për “Jo vetëm Modë”, Bledi ka folur për emocionet e tij, teksa preku sërish skenën nga ku nisi karrierën, ndërsa ka treguar edhe marrëdhënien e mirë me të motrën. Ilda është një personazh i njohur e mjaft e komentuar në botën e showbiz-it, e veç komplimenteve, nuk kanë munguar herë-herë edhe kritikat. Dy javët e fundit moderatorja bukuroshe u shënjestrua nga Mustafa Nano, i cili foli me rezerva sa i përket veshjes së saj. Ilda i mori me sportivitet fjalët e tij dhe komenti i saj i vetëm ishte se Mustafa Nano nuk ishte as “Lagerfeld e as Chanel”. I pyetur se si ndjehet ai kur lexon rreth kritikave që i bëhen së motrës, balerini i njohur thotë se ato janë pjesë e pandarë e punës së një artisti.
“Un jam artist dhe ne kemi shumë kritika. Kritikat të ndihmojnë në jetë. Një njeri që nuk ka kritika nuk ecën në jetë. Mua dhe Ildës më shumë kritika na bën mami. Ilda është e bukur, por i merr pak gjërat lehtë dhe këshilla që i jep mami është që ti marrë gjërat më seriozisht”, tha Bledi Bejleri.