Mesa duket ky është muaji i lajmeve të ëmbla. Personazhet shqiptarë na ‘pushtuan’ me vogëlushët e tyre, ndërsa sot ka qenë radha e një emri mjaft të famshëm për të ndarë të renë më të fundit me fansat. I shumëprituri Leo, vogëlushi i Chiara Ferragni-t dhe Fedez ka ardhur në jetë ditën e djeshme, më datë 19 mars.
Ndjekësit e kanë përjetuar hap pas hapi pritjen e ëmbël të blogeres, pasi kjo e fundit nuk ka humbur rast për të treguar pothuajse gjithçka nga shtatzënia e saj. Vetëm para pak orësh, ajo ka postuar një foto në Instagram, ku shihet me vogëlushin në krah, teksa Fedez i dhuron një puthje. “19 mars 2018: Leo jonë i vogël erdhi në jetë”, ka shkruar Chiara, ndërsa Fedez e ka lidhur këtë datë me një tjetër ditë speciale. “Për festën e babait lindi një Leone i vogël”, ka shkruar këngëtari, duke shprehur kështu emocionet e një dite kaq të veçantë.
Ferragni ka publikuar një video të shkurtër në Instastory, ku duket Fedez me Leo-n në krah. “Dashuritë e mia”, ka shtuar blogerja, për ta ëmbëlsuar edhe më shumë postimin. Urime Chiara-s dhe Fedez!



















