Deputeti Ilir Beqaj, ish-ministri i shëndetsisë, ka propozuar dje në Komisionin e Mediave ndryshimin e mënyrës së taksimit për kontributin që qytetarët japing për buxhetin e RTSH-së (Radio Televizioni Publik Shqiptar).
Deputeti mendon se taksa 100 lekë çdo muaj që paguhet nga çdo familje në faturën e dritave për RTSH-në, nuk është e mjaftueshme, pasi sipas tij një familje që zotëron dy televizorë në shtëpi, duhet ta paguajë dy herë taksën.
“Mesa di unë, ajo nuk është taksë për shërbimin, por është taksë për aparatin televiziv kur është vendosur. Pa dashur të futem në emra të përveçëm, një hotel me 40 dhoma duhet të paguajë 40 herë taksë sepse ka 40 aparate televizive. Një pikë basteh sportive duhet të paguajë 20 taksa, sepse ka 20 aparate televizive. Ka qënë 6 mijë lekë në vit, u bë 12 mijë lekë në vit. Ka qënë 5% komisioni që iu bë një faor CEZ-it atëherë, vajti në 10% të komisionit”, është shprehur Ilir Beqaj.
Fidel Ylli reagon: “Po në shtëpi kur ke 7 televizorë, do paguash 7 herë ti?! Do vijë ai të kontrollojë ty në shtëpi?!”
“Ajo është taksë aparati, jo taksë shërbimi. Po patjetër, ta kontrollon nga sinjali që çon”, i është kundërpërgjigjur Beqaj.
Propozimi i tij për rritjen e taksës, është mbështetur dhe nga kryetari i AMA-s, Gentian Salaj, i cili është shprehur: “Të mbash 12 kanale me të njëjtin buxhet dhe të jenë cilësore, kjo nuk është e mundur. Pasi mund të them që taksa në Shqipëri është 8.7 euro. Nuk ka vend që e ka poshtë 17 eurove. Mali i Zi e ka taksën 17 euro, Maqedonia 37 euro, Serbia e ka taksën 30 euro. Nëse duhet të kemi një operator publik të shëndetshëm, nuk e mbulon dot me atë buxhet.”



















