Rrëfimi i prezantuesit që nuk u dorëzua për asnjë çast derisa arriti të realizonte dëshirën për të qenë pjesë e televizionit, sprovat dhe arritjet deri në finalizimin e asaj që kishte projektuar qysh kur ishte fëmijë
Krejt rastësisht, në audiconet e Top Talent, Kelvi Kadilli as që e kishte imagjinuar se duke kërkuar në arkivën e Top Channel, do të zbulonte një audicion të vjetër, të para disa viteve, kur kishte provuar për të qenë pjesë e programit Select. Pamjet tregojnë një djalosh imcak, vetëm 15 vjeç, plot entuziazëm, elokuent, shumë herë më ndryshe nga profili që shohim sot tek moderator i Pop Culture.
Por edhe pas atij zhgënjimi Kelvi nuk u dorëzua, sepse siç rrëfen, gjithçka ishte një ëndërr e madhe të cilën e kishte filluar qëkur ishte ende fëmijë. “Fillimi, sigurisht që ishte shumë i vështirë, por unë nuk reshtja se takuari njerëz dhe të kërkoja për një vend pune. Kur nisa të kërkoja kontaktet e duhura për të qenë pjesë e ekranit, fakti që isha shumë i vogël bënte që jo të gjithë të më merrnin seriozisht. Ndoshta ngaqë unë besoja se kam qenë shumë i mirë, por më ka prishur punë fakti që u dukesha arrogant të tjerëve”-rrëfen Kelvi Kadilli.
Nuk e mohon se në fakt ndikimi i të tjerëve tek ai ka qenë i fortë, sidomos kur i kërkonin të ishte më serioz, të mos përdorte batuta apo ironi, të cilat në fakt vite më vonë e bënë të spikaste pikërisht për këtë gjë. Përpos refuzimeve, ai nuk u ndal. Një natë vere me shoqërinë e tij, pasi kishte pirë pak alkool, u zgjua në mëngjes dhe duke menduar se të gjithë ishin ende nën efektin e pijes, ai vendosi të mos rrinte në shtëpi, por shkoi për audicionet e Select. “Kur e pashë tani së fundmi videon e audicionit, të them të drejtën, më erdhi keq për veten, sepse duhet të shtiresha si dikush që nuk isha, i ndikuar nga rrethanat, shoqëria maskiliste që më bindnin të mos qeshja shumë, të mos bëja batuta, të ruaja figurën serioze, sepse mendoja që një çun nuk qesh, duhet të jetë brenda kornizave të një burri”.
Por edhe pas refuzimit, ai nuk u dorëzua. Priti mundësinë e radhës, e cila ishte Radio Tirana. Sigurisht që nuk ishte ajo që priste, por kujton se ishte një eksperiencë e vyer,e cila e ndihmoi tej mase në artikulimin e mendimeve dhe në të folur, duke korrigjuar një defekt, i cili konsistonte në të folurit dhe të menduarit e shpejtë.
Pas kësaj erdhi propozimi tjetër për të qenë pjesë e medias. Edhe pse kërkonte me patjetër të ishte prezantues, ju ofrua mundësia për të qenë pjesë e web-it të televizionit Mad. Një periudhë që e kujton si portën e vogël, drejt suksesit të madh, duke e ndihmuar të ngjiste shkallët një nga një. “Pas një viti web, duke patur parasysh që konkurrenca ishte e fortë dhe të gjithë ishim të rinj, vija re një lloj xhelozie, midis prezantuesve. E vetmja që më ndihmoi dhe realisht besoi tek unë, ishte Karolina Risto, aktualisht drejtore e IN Tv. Ajo më besoi programin tim të parë Interview, një ide e cila lindi pas këshillave të vyera të Karolinës, të cilën gjej rastin ta falënderoj”.
Kujton se në fakt gjithçka ishte shumë herë më bukur nga sa e kishte imagjinuar. Arsyeja, sepse Kelvi ashtu si dikur, edhe sot është gjithmonë kërkues ndaj vetes, nuk ndalet lehtësisht edhe kur ka arritur një sukses.
Propozimi që ju bë një sezon më pas për të qenë pjesë e Top Channel, sigurisht që ishte joshës, ndaj ai arriti menjëherë aty ku kishte ëndërruar prej kohësh, duke u bindur për aftësitë e tij, por edhe duke thyer barrierat që krijonte shoqëria. E kishte kuptuar, se sekreti i suksesit të tij, ishte të qenit vetvetja. “Kjo në fakt ishte gjëja më e lehtë që dija të bëja, sepse gjithçka vinte instiktivisht, duke bërë batuta gjatë intervistave, të cilat më jepnin një adrenalinë të paimagjinueshme. Edhe pse përballë kisha personazhe të njohur, ndihesha shumë komod me ta, sepse ishin persona me të cilët isha rritur duke i dashur përmes ekranit, ndaj edhe ishte një kënaqësi e dyfishtë.
Nuk e mohon që në pafundësinë e intervistave, ato me Lori Hoxha, Egla Harxhi dhe Gjon Karrica, kanë qenë më të veçantat, ndoshta për faktin se komportimi i tyre dhe përgjigjet kanë qenë ndoshta më të sinqertat përballë tij.
Tani që ka krijuar një profil përmes programit Pop Culture për një sezon të suksesshëm televiziv dhe në Top Talent, Kelvi Kadilli ka ambicie edhe më të mëdha. “Tani e kuptoj peshën e madhe të logos së Top Channel si dhe përmirësimin tim të vazhdueshëm. Nuk mund të rrëfej konkretisht në këtë moment për projektet e sezonit të ardhshëm televiziv sepse jam supesticioz. Le ti themi kur të vijë momenti, ndoshta sepse më pëlqen efekti surprizë…”- përfundon Kelvi Kadilli, prezantues në Top Channel.