Ose ndryshe, çfarë konsumon Riri që shkëlqen aq shumë?
Është bërë shënjestra e shumicës së fundmi, për shkak se qartazi ka shtuar ca kile më tepër. Sa i intereson Rihanna-s kjo? Aspak. Pse? Sepse është Rihanna! . Edhe pse dietat e të famshmeve janë zbuluar pothuajse plotësisht, rrallë ose për të mos thënë fare, na ka rënë rasti të dëgjojmë mbi mënyrën e të ushqyerit të këngëtares.
Deklaruar më shumë se një herë, që ajo vetë e adhuron konsumimin e ushqimit, të gjithë kanë krijuar idenë se Rihanna i ruan format fizike nga aktiviteti në palestër. Por, mesa duket kishte ardhur koha që të fliste vetë shefja personale e kuzhinës së artistes, për të na treguar më shumë rreth asaj që konsumon Riri. Fillimisht, ajo ka bërë të qartë se Rihanna nuk ka hequr dorë nga kuzhina e vendlindjes. Është rritur me atë shije dhe vazhdon të jetojë njësoj në këtë drejtim. Një tjetër fakt interesant që ajo zbulon është padakortësia e Riri-t, për të vendosur një ditë para se ç’do të hajë të nesërmen, gjë që ia ka vështirësuar punën jo pak shefes së kuzhinës. Duke lënë mënjanë këto hollësi, lind pyetja: si e nis ditën artistja?
Ylli i muzikës pop, në orët e para të ditës konsumon katër vezë të ziera, një tost të hollë, dhe manaferra/ananas/mango (sipas dëshirës). Një detaj i rëndësishëm që shtohet në të njejtin vakt është edhe uji i ngrohtë me limon.
Për drekën, pjata e preferuar e Rihanna-s mbetet orizi, i shoqëruar me mish pule e salcë kerri (kombinim erëzash, me shije pak pikante). Një alternativë favorite për darkën është edhe peshku me sallatë apo perime, edhe pse për këto të fundit, këngëtarja njëherë ka thënë: “I urrej [perimet], por e detyroj veten t’i konsumoj”.
Duket si dieta perfekte, pa shumë mundime apo sakrifica, krejtësisht e shëndetshme, edhe pse, deri diku, e kushtueshme. Me pak fjalë, Riri nuk është nga ato që sakrifikojnë kënaqësinë e stomakut, vetëm për të qendruar në formë. Genet e Barbadosit, me siguri!



















