Burime nga Urgjenca Kombëtare njoftojnë se deri më tani numri ka arritur deri më 13 të vdekur si pasojë e tërmetit me magnitudë 6.4 dhe me intesitet rreth 9 ballë, që shkundi mëngjesin e sotëm Shqipërinë. Mes personave të vdekur raportohet edhe një fëmijë 6-vjeçar.
Viktimat janë nxjerrë nga rrënojat në zonën e Thumanës, në Durrës, dhe në Kurbin. Ndërkohë që po punohet ende për të nxjerrë qytetarë të tjerë nga rrënojat, çka bën që numri i viktimave të rritet në orët në vijim. Në zonën e Kënetës në Durrës, 7 anëtarë të një familje ndodhen nën rrënoja, ndërkohë që në Thumanë po ashtu raportohet për katër anëtarë të një familje që ndodhen në gërmadha.
Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në Facebook, shprehet se 28 persona janë nxjerrë nga gërmadhat, nga forcat e armatosura. Ndërkohë që rrugës janë duke ardhur ndihma shpëtimi, nga Italia, Franca, Turqia, Serbia dhe Mali i zi.



















