Shumë do ta kujtojmë si aktorin që shënjoi kinematografinë shqiptare me talentin, por edhe pamjen e tij. “Burri i bukur“ i ekranit, e kanë quajtur disa, megjithatë Ferri ishte më shumë se kaq. Me rolet brilante përgjatë karrierës së tij, aktori që ka qenë më së shumti protagonist në filmat shqiptarë, la një gjurmë që nuk do të shlyhet lehtë.
Ai u shua nga një sëmundje e rëndë në moshën vetëm 59 vjecare. Pak muaj më parë ishte bërë gjysh, por iku përpara se ta shijonte sa duhet këtë gëzim qe i fali vajza e vetme Bora.
Xhevdet Ferri ka interpretuar në rreth 30 role, në film e teatër. Më I fundit prej tyre ishte tek filmi “Delegacioni“, që po korr sukses kudo ku prezantohet.
Aktori nga Durrësi ra në sy që në filmat e tij debutues: Skëterre 43 ku interpretonte Arjanin, Vëllezër dhe shokë, ku ishte Marko; Gjurmë në kaltërsi – Astriti, Era e ngrohtë e thellësive– Arben Bano, për të mos harruar Trimin tek Përrallë, apo rolin e Sakos tek Dasma e Sakos, që e shpalosi të plotë talentin e tij aktorial. I qetë, me një vështrim të ngulët e zhbirues, me lëvizjet e sigurta të njeriut qe e di se c`bën, Xhevdet Ferri I jetësoi personazhet e tij në një mënyrë që shkrinte heshturazi temperamentin me melankolinë, vrullin me qetësinë, në një miks emocionesh që mendimin, ndjenjën dhe aktrimin, e përcillnin aq lehtësisht. Me “Gjoleka, djali I Abazit“ dhe “Tradhëti bashkëshortore“, ai provoi me sukses dhe regjizurën. Dhe kjo ndoshta do të vazhdonte, nëse sëmundja nuk do ta merrte para kohe. Xhevdeti lë pas vajzën dhe të shoqen, aktoren Rozeta Ferri.