Duka dhe Dukesha i Sussex nuk do t`i përdorin më titujt Lartësia e Tij dhe e Saj Mbretërore pas vendimit të tyre për t`u tërhequr nga detyrimet si pjesëtarë të lartë të familjes mbretërore britanike. Njoftimin e bëri Buckingham Palace. Një lëvizje e tillë do të thotë se Harry dhe Meghan do të duhet të kthejnë mbrapsht paratë e taksapaguesve nga Sovereign Grant, të shpenzuara së fundi për rinovimin e rezidencës së tyre, Frogmore Cottage. Shuma shkon në 2.4 milionë paundë, thuhet në deklaratë.
Si pjesë e marrëveshjes, cifti do të tërhiqet nga detyrimet mbretërore, përfshirë ceremonitë ushtarake, dhe ata nuk përfaqësojnë më mbretëreshën. Po kështu, Harry dhe Meghan nuk do të përfitojnë më fonde për detyrimet mbretërore. Marrëveshja hyn në fuqi këtë pranverë. Burime pranë ciftit thanë se ata planifikojnë ta kalojnë pjesën më të madhe të kohës në Amerikën e Veriut.