KreuFashion

Studim: Në moshën 33 vjeçare gratë kthehen në fotokopje të nënave të tyre!

 

“Do të më kuptosh kur të rritesh”! Sa e sa herë e kemi dëgjuar këtë shprehje nga nënat tona kur kemi qenë të vegjël, e me kryeneçësinë e moshës asokohe mund t’i kemi hedhur një shikim të çuditshëm, por me kalimin e viteve në mos të gjithë, pjesa më e madhe e njerzve e kuptojnë se ajo kishte pasur të drejtë.

Me rritjen dhe maturimin kuptojmë se nënat jo vetëm kanë patur të drejtë, por shpesh na ndodh ta ‘kapim’ veten duke vepruar dhe menduar njësoj si nënat tona kur ne ishim ende fëmijë.

Në fakt ky përfundim ka edhe në bazë një studim, sipas të cilit dikush më pak apo dikush më shumë, e vërteta është që të gjithë ne në një pikë të jetës do t’i ngjajmë krejtësisht prindërve tanë.

 

Sipas një hulumtimi të bërë nga doktori i kirurgjisë plastike Julian De Silva, në 2000 persona të pyetur në Britaninë e Madhe pjesa më e madhe e tyre kanë pranuar se pas të 30-ave, sidomos gratë veprojnë njësoj si nënat e tyre kur kishin këtë moshë. Më tej studimi sqaron se në moshën 33 vjeçare gratë janë pothuajse identike me nënat e tyre në veprime, mendime, shprehi, kanë të njëjtat hobe, e madje pëlqejnë edhe të njëjtat shfaqje televizive.

Doktor De Silva shpjegon se ky fenomen tek gratë nis pasi ato bëhen nëna, dhe duke patur si pasqyrë stilin e prindërimit të nënave të tyre, në mënyrë të pandërgjegjshme ato sillen njësoj si nënat e tyre edhe me fëmijët.

Por, duket se nga ky ‘transformim’ nuk preken vetëm femrat, pasi edhe meshkujt pas moshës 34 vjeç fillojnë të ngjajnë shumë me baballarët e tyre. Studimi thotë se burrat në një pikë të jetës së tyre, kanë të njëjtat pikëpamje politike me etërit e tyre, dërgjojnë të njëjën muzikë, dhe nuk harrojnë asnjëherë të fikin dritat në dhomat bosh.

Pra, sado të çuditshëm t’ju duken juve prindërit tuaj, kur ju jeni ende fëmijë apo adoleshentë, duhet të keni parasysh se tek ata po shihni veten tuaj pas disa vitesh.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF