Është larguar nga jeta bilbili i muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha. Lajmin e hidhur e kanë dhënë familjarët e artistes të cilët kanë konfirmuar humbjen e madhe në mediat kosovare.
Ylli i muzikës shqiptare që u shua këtë mëngjes në moshën 86 vjeçare, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori edhe jetën.
Nexhmie Pagarusha, ose siç njihet në popull bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjen e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën e Shqipërinë dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë.
Në maj të vitit 2018 Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Çmimi i mirënjohjes iu akordua këngëtares Pagarusha përmes propozimit të një Akademie në Florida, i cili është çmim periodik vjetor që firmoset nga Presidenti amerikan për Personalitete që kanë impakt mbi njerëzit dhe shoqëritë e tyre, konkretisht në fushën e artit.



















